Parlamenti i parë i Nxënësve të Shqipërisë është mbledhur në një ceremoni përmbyllëse, në të cilën ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi shpërndau certifikata për anëtarët e ‘Parlamentit të Nxënësve’ për kontributin e dhënë përgjatë mandatit të tyre dy vjeçar 2019-2021.
Ministrja Kushi gjatë këtij takimi ceremonial u shpreh se nxënësit, anëtarë të këtij parlamenti, kanë qenë shumë aktivë dhe mbështetës për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në ndihmë të hartimit, zhvillimit dhe zbatimit të politikave tona në arsimin parauniversitar.

Më tej ajo është shprehur se këta nxënës kanë përfaqësuar dhe kanë përcjellë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave në vend.
“Më vjen keq që mandati juaj përkon me një mandat dy vjeçar shumë të vështirë. Ju ka penguar që të bënit aq sa kishit dëshirë. Nuk mund ta harroj nismën juaj ‘Digjitalizo një nxënës’ që i dedikohej mbështetjes së nxënësve në nevojë për t’i ndihmuar ata me një tabletë digjitale që të përfshiheshin edhe ata në mësimin online,”- u shpreh ajo.
Znj. Kushi vlerësoi disa cilësi shumë të rëndësishme të këtij parlamenti të parë, si barazia e plotë gjinore e anëtarëve, përfaqësimi i mirë i nxënësve me aftësi ndryshe apo i komuniteteve të ndryshme në vend.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Sipas ministres, mbyllja e auditorëve vitin e kaluar ishte një emergjencë shëndetësore dhe një sfidë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë botën. Ajo e konsideroi një domosdoshmëri hapjen e auditorëve sot, për të ardhmen e studentëve dhe për jetën universitare.
“Auditorët do të hapen, por unë këmbëngul edhe një herë fort që ata që kanë mbushur moshën dhe ata që nesër do të jenë studentë, të vaksinohen sa më parë. Kjo është një detyrë qytetare për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe të të afërmve,”- theksoi Znj. Kushi.

Duke falënderuar UNICEF-in, si një nga partnerët zhvillimorë në shumë iniciativa, Ministrja Kushi tha se tradita e Parlamentit të Nxënësve do të vazhdojë.
“Nëse dje ishim të bindur që duhet ta kishim ‘Parlamentin e Nxënësve’, sot me performancën dhe kontributin e anëtarëve të saj jemi një qind herë më të bindur që ‘Parlamenti i Nxënësve’ duhet të vazhdojë si institucion këshillimor pranë MASR,”- nënvizon ministrja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb