Partia britanike Reform UK ka propozuar një plan të ashpër për ndalimin e kalimeve të emigrantëve nëpër Kanalin Anglez, duke deklaruar se nëse vjen në pushtet do të nisë atë që e cilëson si “operacionin më të madh ushtarak në Kanal që nga Lufta e Dytë Botërore”. Plani, i quajtur “Operacioni Fortress”, parashikon angazhimin e Marinës Mbretërore për të kapur anijet e vogla me emigrantë që nisen nga brigjet franceze dhe kthimin e tyre drejt Francës.
Propozimi është bërë publik në një moment kur partia e drejtuar nga Nigel Farage po përballet me një rënie të mbështetjes në sondazhe, ndërsa ndaj saj vijojnë hetime për çështje që lidhen me financat dhe donacionet e padeklaruara. Komiteti i etikës në parlamentin britanik ka hapur gjithashtu një hetim ndaj zëvendësdrejtuesit të partisë, deputetit Richard Tice.
Përfaqësuesi i Reform UK, Zia Yusuf, tha për BBC se masa është “një zgjidhje e fundit”, por sipas tij situata ka arritur në një pikë ku kërkohen ndërhyrje të forta. Ai e cilësoi numrin e kalimeve të emigrantëve në Kanal si “kolosal” dhe deklaroi se nuk ka shenja se fenomeni po ndalet. Qeveria laburiste e kundërshtoi menjëherë propozimin, duke akuzuar Reform UK se po përdor çështjen e emigracionit për të larguar vëmendjen nga problemet e saj të brendshme.
Edhe ish-komandanti i Marinës Mbretërore, Tom Sharp, shprehu rezerva për përdorimin e anijeve ushtarake në këtë mënyrë, duke argumentuar se forcat detare kanë shumë mënyra për të kontribuar, por dërgimi i anijeve luftarake nuk është domosdoshmërisht zgjidhja më e përshtatshme.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më 31 korrik 2026, 14,128 persona kanë mbërritur në Britaninë e Madhe përmes Kanalit Anglez me anije të vogla, një shifër rreth 42% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, më 29 korrik u regjistrua një rekord ditor, me 752 mbërritje të reja. Londra dhe Parisi kanë arritur më herët një marrëveshje për frenimin e kalimeve ilegale, e cila përfshin edhe mbështetje financiare britanike për përpjekjet franceze në kontrollin e kufirit.
