Një nga aspektet më pozitive të sezonit të Partizanit, pavarësisht se ekipi nuk arriti objektivat e vendosur në fillim të kampionatit, ishte hapësira që fituan disa prej lojtarëve të rinj gjatë këtij edicioni. Sidomos pas ardhjes në pankinë të trajnerit Oltijon Kërnaja, të kuqtë nisën të mbështeteshin më shumë te futbollistët e rinj dhe te elementët me perspektivë që vinin nga akademia apo nga ekipi B. Kërnaja, duke njohur mirë ambientin dhe futbollistët e rinj, u dha besim shumë prej tyre në momente të rëndësishme të sezonit.
Edhe për shkak të dëmtimeve të shumta që shoqëruan skuadrën gjatë kampionatit, trajneri u detyrua të aktivizonte disa lojtarë të rinj, të cilët në shumë raste arritën të fitonin minuta dhe eksperiencë me ekipin e parë.
MË TË SPIKATURIT- Një nga emrat që spikati më shumë ishte Marjus Kola. Futbollisti arriti të marrë hapësira të konsiderueshme dhe në disa ndeshje tregoi potencialin e tij, duke u kthyer në një alternativë të rëndësishme për repartin difensiv, duke nënshkruar edhe kontratë të re me të kuqtë. Po ashtu, minuta të rëndësishme gjatë sezonit fitoi edhe Buxhelaj, i cili u aktivizua në disa takime dhe tregoi siguri sa herë iu besua fanella e titullarit në momentin që Atanaskoski pati probleme fizike.
Një tjetër lojtar që fitoi rëndësi në skuadër ishte Arafat Dumbia. Mesfushori u kthye në një element të rëndësishëm në mesin e fushës dhe gjatë sezonit pati paraqitje pozitive me fanellën e kuqe. Edhe pse u penalizua në disa momente nga dëmtimet, Dumbia tregoi potencial të madh dhe konsiderohet si një nga lojtarët me të ardhme te Partizani. Në repartin ofensiv, Partizani u mbështet edhe te Diego Kontreras. Sulmuesi i promovuar nga ekipi B pati hapësira të konsiderueshme gjatë sezonit dhe arriti të kontribuonte edhe me gola, madje duke vendosur ndeshje e duke i dhuruar pikë të rëndësishme skuadrës.
Po ashtu, minuta të rëndësishme fitoi edhe Toma, i cili në disa ndeshje u aktivizua si titullar dhe tregoi cilësitë e tij në repartin ofensiv. Hapësira gjatë sezonit pati edhe për Denis Sulon, i cili në disa momente u aktivizua nga stoli dhe fitoi eksperiencë me ekipin e parë, deri në momentin që pësoi dëmtim. Një tjetër emër që u pa shpesh në formacion ishte edhe Jata, ndërsa minuta të vlefshme gjatë kampionatit mori edhe Tedi Malaj. Të gjithë këta futbollistë konsiderohen si elementë me perspektivë për të ardhmen e klubit. Po ashtu, në disa momente gjatë sezonit pati aktivizime edhe për Abdu, i cili në disa takime arriti të fitonte besimin e stafit teknik. Partizani tregoi gjatë këtij sezoni se është i gatshëm t’u japë hapësira futbollistëve të rinj dhe të investojë më shumë te lojtarët me potencial për të ardhmen.
TALENTI- Një nga talentet që ka tërhequr më shumë vëmendje në ambientin e klubit është edhe Fabio Hyseni. Sulmuesi 16-vjeçar ka firmosur tashmë një kontratë trevjeçare me Partizanin dhe është zyrtarisht pjesë e ekipit të parë. Në klub ekzistojnë pritshmëri të larta për Hysenin, i cili konsiderohet si një nga talentet më premtues të akademisë së kuqe. Drejtuesit besojnë se në sezonet e ardhshme një pjesë e mirë e këtyre futbollistëve mund të kthehen në pika të rëndësishme të skuadrës. Pavarësisht rezultateve zhgënjyese të ekipit në fund të kampionatit, promovimi i lojtarëve të rinj mbetet një nga elementët pozitivë mbi të cilët Partizani synon të ndërtojë projektin e ri për të ardhmen.
