Elbasani-Partizani do të jetë një prej sfidave më të rëndësishme të Javës së 27 të kategorisë superiore. Verdheblutë vijnë pas eleminimit në kupë ndaj Vllaznisë, ndërsa në kampionat do të kërkojnë pikët për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa në krahun tjetër Partizani i Abilaliajt vjen pas suksesit 2-1 ndaj Laçit në sfidën e kthimit në Kupën e Shqipërisë, por në kampionat gjërat për të kuqtë nuk po shkojnë mirë. Pavarësisht se vendi i 4 nuk mendohet se mund të rrezikohet, ajo që shqetëson në kampin e kryeqytetasve është fakti se fitorja e fundit daton në 19 janar, ndaj për “Demat”, objektivi do të jetë rikthimi tek fitorja.

Ndërkohë të dielën, kampionët në fuqi të Egnatias, do të presin në Rrogozhinë skuadrën e Teutës. Kyesuesit e kampionatit të bindur në forcën e tyre do të tentojnë suksesin e radhës, ndaj Teutës e cila është në garë për mbijetesë, gjë që e konfirmon edhe Tetova në konferencën për shtyp para ndeshjes:

“Vijmë nga një kualifikim, për herë të tretë jemi në gjysmëfinale dhe vazhdojmë përprara për atë që do të ndodhë. Grupi ka mungesa, por çunat që kanë të gatshëm gjatë javës mendoj që do të japin më të mirën. Mendoj që do të jetë një spektakël në radhë të parë, për gjithë atë që ka ofruar zoti Demrozi për Rrogozhinën, uroj të jetë një ogur i mirë edhe për ndeshjen.  Ajo që i përket të shkuarës është histori, grupi është i fokusuar dhe mendoj që do të hymë në fushë për 3 pikët.

Ndeshja e Korçës tashmë është e kaluar, i kemi analizuar situatat, pastaj ndeshja me Bylisin ishim në komod, morëm një rezultat 1-3 në fushën e tyre dhe pastaj rezultati 2-2 na çoi në gjysmëfinale. Unë e kam specifikuar gjithmonë që çdo lojtar është i rëndësishëm dhe ka rol specifik, kemi mungesa por nuk mund të bëjmë më alibi për këtë pasi gjithmonë kemi pasur mungesa. Unë po kërkoj që ta kem grupin e plotë, por Aleksi, Ndreca, Malota, Lushkja janë mungesa që ndjehen në ekip”.

Sfida Egnatia-Teuta do të luhet ditën e dielë, ora 17 në Rrogozhinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb