Një tjetër derbi i fituar, suksesi i tretë ndaj rivalëve të përjetshëm këtë sezon në 4 përballje, nga të cilat një e ka barazuar. Për tifozët e kuq tre derbi të fituar ndaj Tiranës emocionalisht mund të vlejnë një kampionat, por jo për klubin, aq më tepër me një skuadër që edhe në këtë derbi tregoi se ka kredencialet e duhura për të mbrojtur titullin kampion.

Goli i fitores erdhi në minutën e 93-të, por vështirë ta quash fat, pasi ishte Partizani ai që kishte ngujuar për 20 minutat e fundit Tiranën në gjysmëfushën e saj, duke kërkuar me insistim vulën e triumfit, me bardheblutë në vështirësi serioze.

Tirana bëri një pjesë të parë të mirë, duke treguar shumë dëshirë dhe krijuar raste të rrezikshme, por që ishin më tepër meritë e cilësive individuale, teksa të kuqtë edhe një herë ishin skuadra më kompakte. Pothuajse si në të gjithë derbit e këtij sezoni, Partizani ishte dominues në mesfushë, me një ide më të qartë loje si sistem, ndërkohë që në pjesën e dytë komandoi lojën, duke patur në krahun e tij shumicën absolute të iniciativës.

Meritë e gjendjes fizike, mentalitetit për të kërkuar fitoren deri në fund duke mos u pajtuar me barazimin, apo dhe thellësisë së stolit, ku Partizani është superior me një organikë më të plotë se rivalët. Ndoshta pak nga të gjitha, e sigurt është se në klubin e kuq pas kësaj fitoreje janë edhe më të fortë në sprintin final, atë të 3 ndeshjeve të mbetura, ku duan vendin e dytë, që sjell jo pak avantazhe  por mbi të gjitha ne Final Four, me skuadrën që pas kësaj fitoreje shpreson që më e bukura ende nuk ka ardhur, pasi prezantohet në fazën kulmore me kartvizitën e një tjetër fitoreje në derbi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb