NGA GËZIM SINEMATI*

Kujtohet një histori e këndshme me të madhin Panajot Pano, sa herë vjen derbi i bujshëm. Tifozët e Tiranës kishin takuar “mbretin” dhe, me lavde e me përkëdheli, e kishin detyruar të pinte ca gota para ndeshjes.

Më pas këndonin në kor, në shkallët e stadiumit, se gjoja Jotit do t’i lidheshin këmbët dhe derbi ishte fituar ende pa filluar ndeshja. Por, kampioni i madh ishte kaq i pabesë, sa shënonte gol dhe argëtohej me kundërshtarin, sikur të kishte pirë lëng magjik dhe jo… “helmin”.

Përse e kujtojmë këtë histori, pikërisht në këto momente? Sepse ndeshjet derbi kanë një fund të njohur dhe rolet nuk ndërrohen: Partizani fitues dhe Tirana… humbëse. Është gjetur ilaçi, apo është ndonjë lloj magjie?

Ndeshja e madhe e vitit, asaj që i gëzohemi më shumë sesa zbulon në fushë, për të keqen e kampionatit dhe për të mirën e “demave”, ka një histori të paracaktuar.

Ndryshe nga humbja me kampionët e Skënderbeut, ku alibia e gjykimit mund të përdorej si shfajësim, të premten me Partizanin, Tirana nuk kishte frikë të zbulonte mungesën e karakterit dhe vdekjen e shpirtit bardheblu. Të mundësh Tiranë, bile si në një ndeshje boksi, me nokaut qysh në fillim, ky ishte basti i fituar i trajnerit Agostineli.

Një italian që ka nevojë të prekë tokën dhe jo qiellin e shtatë, kur fill pas triumfit lëshon dorashkën edhe për… titullin. Një i huaj nuk duhet të sillet si shqiptar: sa fiton një ndeshje “të madhe”, lëshohet në orbitën e euforisë me deklaratën: “Dua titullin”.

Pse nuk e dëgjuam këtë frazë edhe pas ndeshjes në Pukë, kur çunat dhe profesori habiteshin me kundërshtinë e Tërbunit të vendit të fundit. Një leksion që vlen të kujtohet, ngaqë titulli fitohet çdo javë dhe jo vetëm kundër… Tiranës.

Kur Demi i “demave” thotë se ky do të jetë sezoni më i përshtatshëm për të rikthyer lavdinë në klub, nuk ka vend për hojna, porse të përdorin si “drogë” kasetën e ndeshjes me Skënderbeun. Në atë ndeshje, ku futbollistët e Starovës vraponin si të çmendur dhe kampionët, të cilëve u dukej sikur po luanin me më shumë se 11 veta…

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: