SHBA

Starship i SpaceX është nisur me sukses në fluturimin e tretë testues. Raketa është ndarë nga përforcuesi Super Heavy dhe ka filluar të fluturojë në një lartësi prej mbi 200 mijë metra.

Ky llogaritet të jetë fluturimi më i suksesshëm testues i anijes kozmike deri më tani, shkruan Skynews.

Starship është raketa më e madhe dhe më e fuqishme në botë me një lartësi prej afro 120 metrash, e cila ka për qëllim të transportojë astronautët në Hënë këtë dekadë. Është anije aq e madhe sa SpaceX thotë se “do të jetë në gjendje të mbajë deri në 100 njerëz në fluturime ndërplanetare”.

Por, CEO i SpaceX, Elon Musk, dëshiron që me Starship të fluturojë edhe drejt Marsit.

Mirëpo, raketa duhet të kryejë qindra misione pa ekuipazh përpara se të transportojë njerëzit e saj të parë.
Anijes Starship po i jep rol qendror edhe NASA me programin e saj Artemis i cili synon zbarkimin e astronautëve në Hënë pas më shumë se 50 viteve.

SpaceX, kompania hapësinore e Elon Musk, ka kryer dy teste vitin e kaluar, me lëshime në prill dhe nëntor. Të dy lëshimet e mëparshme kishin rezultate progresive, por shpërthyese: në fakt, të dyja u shkatërruan për shkak të problemeve.

Sistemi Starship është projektuar që të jetë plotësisht i ripërdorshëm dhe synon të bëhet një metodë e re për fluturimin e ngarkesave dhe njerëzve përtej Tokës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb