Pas Kristiano Ronaldos, te Juventusi është hapur oreksi për të bërë blerje të mëdha me shije ndërkombëtare.

Drejtuesit e klubit bardhezi e dinë mirë që për të fituar Ligën e kampioneve duhet të kesh në skuadër kampionë të mëdhenj dhe për këtë arsye “steka” e pretendimeve të tyre në merkato është ngritur shumë.

Konfirmimi për këtë vjen nga presidenti Andrea Anjeli, i cili në një intervistë për “Finacial Times” ka zbuluar profilin e goditjes së ardhshme të madhe në tregun e transferimeve.

“Duhet të jemi në gjëndje për të blerë Ronaldon e ardhshëm, por në një moshë 25-vjeçare. Po programojmë hap pas hapi misionin tonë për t’u kthyer skuadra numër një në botë”, është shprehur Anjeli.

Këto deklarata të presidentit juventin kanë ndezur një garë të ashpër në mediat italiane, të cilat kanë nisur të publikojnë emrat e futbollistëve që përshtaten me profilin e zbuluar nga numri një I klubit juventin.

Duke nisur nga Seria A, Milinkoviç Saviç dhe Enriko Kieza janë objektivë të njohur për Juventusin.

Por nuk mungojnë edhe emra të tjerë të njohur të futbollit europian, si Asensio i Realit të Madridit apo Mbape i Paris Sent Zhërmen.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb