Kompania më e madhe e shkëmbimit të kriptomonedhave në botë, Binance, po hetohet edhe nga autoritetet franceze, pas nisjes së hetimit nga pala amerikane.

Hetimi është fokusuar në procedurat financiare të kompanisë sa i përket pastrimit të parave. Vetëm pak ditë më parë Binance u largua zyrtarisht nga tregu në një tjetër vend europian, Holanda, pasi dështoi të merrte një licencë nga banka qendrore holandeze.

Në një deklaratë, Binance konfirmoi se autoritetet franceze vizituan zyrat e kompanisë javën e kaluar.

“Ne patëm një vizitë në terren javën e kaluar nga autoritetet përkatëse. Binance, si gjithmonë, ishte bashkëpunuese dhe përmbushëm detyrimet tona në përputhje me rrethanat ligjore. Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me rregullatorët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit për të gjitha kërkesat e vazhdueshme për të mbështetur standardet ligjore”, tha një zëdhënës i kompanisë.

Rregullatorët në mbarë botën janë përpjekur të rrisin presionin mbi kompanitë e shkëmbimit të kriptovalutave në një përpjekje për t’i bërë ato më transparente, pas incidenteve të vazhdueshme në këtë industri.

Në SHBA, Binance është duke u përballur me padi nga dy rregullatorë financiarë, Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim (SEC) dhe Komisioni i Tregtisë së të Ardhmeve të Mallrave, sipas të cilëve kompania ka operuar në SHBA në mënyrë të paligjshme dhe duke injoruar ligjet që synojnë të mbrojnë investitorët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: