TIRANË

Grabitja e djeshme në Rinas, ku u morën nga një avion në nisje 10 milionë euro të destinuara për në Austri me sa duket është kambana e fundit e alarmit për sigurinë në aeroportin e vetëm kombëtar në Shqipëri.

Pas dislokimit të Forcave të Armatosura, në perimetrin e jashtëm në aeroportin e Rinasit, Policia e Shtetit merr siurinë në kontroll duke rritur prezencën.
Për të dhënë këtë lajm, ka dalë para mediave Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, zëvendës ministri i Infrastrukturës Artan Shkreli dhe zëvendës ministri Besfort Lamallari.

“Pas ngjarjes së djeshme në aeroportin “Nënë Tereza”, gjendem këtu sot së bashku me Zv/ministrin e Infrastrukturës dhe Zv/ministrin e brendshëm për të bërë një analizë të shkurtër së bashku me drejtorin e TIA-s, ku nisur nga ajo që u evidentua dje e cila ishte një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë dhe ne si Polici e Shtetit, jemi duke e ndjekur dhe duke e analizuar, grupi hetimor është duke punuar intensivisht dhe gjithë media dhe opinioni publik duhet të ketë besim se policia është duke punuar 24 orë dhe do të bëjë të mundur për ta zbardhur këtë ngjarje.

Pavarësisht kësaj që ndodhi, ne jemi duke punuar edhe për rritjen e parametrave të sigurisë të cilët me thënë të drejtën, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Policisë së Shtetit për tu kthyer në nivelin e duhur, brenda standardeve të Bashkimit Evropian, por dhe të aeroporteve të tjera, në momente të caktuara nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur nga kompania e cila është përgjegjëse për sigurinë e aeroportit “Nënë Tereza”.

Nisur nga kjo, mbi bazën e porosisë së Kryeministrit dhe të Ministrit të Brendshëm dhe me urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sot Shefi i Komisariatit të Policisë Rinas, krahas detyrave funksionale që do të ketë për kontrollin dhe menaxhimin e kufirit, merr edhe përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë e sigurisë në aeroport për të bërë të mundur, kthimin e sigurisë në ato parametra që kërkojnë qytetarët, por edhe standardi i aviacionit civil.

Për këtë ne do të kërkojmë çdo ditë rritjen e parametrave të sigurisë, plotësimin e kërkesave nga aeroporti “Nënë Tereza”, për të bërë investimet e duhura për rritjen e këtyre parametrave, njëkohësisht ashtu siç e theksoi edhe ministria e mbrojtjes, do të bashkëpunojmë dhe me forcat e ushtrisë në perimetrin e jashtëm, për ta kthyer aeroportin “Nënë Tereza”, në një aeroport të sigurt, në një aeroport model për zhvillimin e këtij biznesi dhe të rritjes së parametrave të sigurisë”, deklaroi Veliu.

Nga ana tjetër, zv.ministri i Brendshëm Llamallari e cilësoi grabitjen si humbjen më të vogël, ndërsa theksoi se nuk pati humbje njerëzish.

“Ne patëm një bisedë me përfaqësuesit, Drejtorin e TIA-s që ka të bëjë me ndryshimin e procedurave për rritjen e sigurisë në aeroportin e Rinasit. Kemi dhënë vazhdimisht rekomandime për rritjen e sigurisë, rregulloret, kontratat, udhëzimet të cilat janë bërë në pranverë të 2013, do të ndryshojnë duke pasur parasysh ngjarjen e fundit që ka ndodhur.

Në këtë moment do të jetë Policia e Shtetit e cila bashkë me sigurinë e aeroportit, e cila deri tani ka qenë vetëm siguria private e aeroportit nga konçesionari që garantonte paprekshëmërinë dhe perimetrin e aeroportit, do të jetë Policia e Shtetit që do të marë përgjegjësinë në këtë rast duke ndryshuar praktikën e deritanishme.

Kemi menduar që konçesionari mbi bazën e ngjarjes që ka ndodhur më përpara do të reflektonte për rritjen e nivelit të sigurisë, siç duket nuk ka qenë në gjendje të krijojë këtë nivel sigurie që kërkohet sot dhe në këtë moment sikurse tha edhe Drejtori i Policisë, masat e sigurisë do të rriten në një nivel shumë të lartë.

Ne nuk kemi vetëm hallin e cënimit financiar që ka ndodhur, çështja është siguria e njerëzve ajo është gjëja që preokupon më tepër Qeverinë shqiptare, gjithashtu edhe problemi i ruajtjes së një figure në nivel ndërkombëtar që aeroporti i Rinasit është ndër aeroportet më të sigurta të Evropës.

Nuk mund ta thoshin natyrisht për veten e vet, gjej rastin këtu të falënderoj shumë veprimin e Policisë së Shtetit, e cila nuk hezitoi.
Vetëm çështje sekondash ka qenë të ballafaqohej me grabitësit duke lënë edhe njërin prej tyre të vrarë edhe duke rrezikuar natyrisht forcat e ndërhyrjes së shpejtë pasi ky grup grabitësish ishin të armatosur gjer në dhëmbë.

Shumë shpejt do të ketë informacione nga ana e Policisë për detaje se si u zhvillua, çfarë i është gjetur atij njeriu që mbeti i vrarë e gjëra të tjera të cilat nuk është vendi për t’i thënë.

Ajo që doja të theksoja edhe njëherë këtu që për fat ka ndodhur e keqja më e vogël që do të thotë, një humbje shpresojmë e përkohshme financiare, por nuk kemi pasur humbje jete njerëzish civilë të cilët përdorin në mënyrë dhe mirëbesim aeroportin dhe të forcave tona të armatosura ose të forcave tona të Policisë”- u shpreh Llamallari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb