KOSOVË

Forumi Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi i ka propozuar qeverisë së Kosovës, miratimin me një vendim qeverie, të dhënies së shtetësisë (gjithë atyre që e kërkojnë), shqiptarëve të Luginën e Preshevës të mund të jenë rezidentë në Republikën e Kosovës.

Përmes takimeve u është kërkuar problematizimi i çështjes se pasivizimit të adresave të luginasve që nuk kanë aktualisht adresë zyrtare në Luginë, respektivisht në RS duke dashur të shndërrojë automatikisht në pakicë shtetërore të Kosovës, shqiptarët e Serbisë si edhe të barazojë statusin e shqiptarëve të Luginës me serbët e Kosovës, etj.

Gjatë ditës së hënë kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti ka mbajtur një konferencë për mediat me përfaqësues politikë të shqiptarëve të Luginës, ku mes të tjerash u fol për një plan ekonomik dhe për libra shqip për banorët.

Në një reagim të fundit, drejtuesi i këtij Forumi, Muharrem Salihu, thotë se një pjesë e kërkesave është reflektuar por pa e fshehur zhgënjimin për sa i takon prishmerive.

“Lajm i mirë por i vogël, që Qeveria e Kosovës ka strukturuar një plan veprimi për Luginën- si e bëri me dije Kryeministri Hoti. Fushata sensibilizuese që ne kemi bërë tash sa muaj për pasivizimin sapo e mori njëfarë përgjigjeje” thotë Salihu. Ai sqaron se “një propozim që ne i bëmë kësaj qeverie, tri javë më parë, u adresua sadopak. Megjithatë nevojitej veprim i fuqishëm dhe më konkret. Kemi census-in në prag dhe ne shqiptarët në Jug të Serbisë jemi pa dokumenta si pasojë e pasivizimit! Prandaj, kërkuam një veprim imediat”, shton Salihu.

Kryeministri Hoti tha në konferencë se “U dakorduam së bashku për programin e punës dhe pas këtij takimi unë do ta nënshkruaj këtë program pune, që duhet të zbatohet nga të gjitha institucionet gjatë këtij viti.Në shkurt do të fillojmë me përgatitjen e një studimi të veçantë në lidhje me gjendjen sociale dhe ekonomike të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, i cili studim do të nxjerrë në pah gjendjen në të cilën jetojnë shqiptarët në Luginë, duke e krahasuar me komunat e tjera në Serbi, për të faktuar në mënyrë shkencore gjendjen në arsim, shëndetësi, punësim dhe në çdo shërbim social që kanë shqiptarët në Luginë të Preshevës”, ka thënë Hoti në konferencë për media.

Sipas Hotit, qëllimi i këtij studimi është faktimi i gjendjes së shqiptarëve në Luginë dhe më pas do të fillojë një aktivitet senzibilizues dhe lobues në veçanti te partnerët në Washington dhe BE, si dhe do të mbahet një konferencë e donatorëve në fund të vitit 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: