Astrit Patozi ka reaguar për datën e 21 janarit dhe mënyrën se si politikanët e vendit vendosën që ta kujtojnë, 21 janarin e 2011, 21 janarin e 2006 apo 21 janarin e 1920.

Kreu i Bindjen Demokratike thotë se kjo ndarje preferencash, për t’ia përplasur kundërshtarit historinë në fytyrë dhe për të pasur parasysh armikun e sotëm nga turpëron si shqiptarë.

Por Patozi shton se çdokush nuk do të gjykohet për ata që ka përballë, por vetëm për atë që ka bërë për popullin e vet. Në fakt data e 21 janarit koincidon me tre data të shënjuara për Shqipërinë dhe Kosovën. E para me Kongresin e Lushnjes 100 vite më parë, e dyta me vdekjen e Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahima Rugova më 2006 dhe e treta me vrasjen e 4 qytetarëve në një demonstratë më 2011 para kryeministrisë në Tiranë.

 

STATUSI I ASTRIT PATOZIT

SECILI KA ZGJEDHUR 21 JANARIN E VET

Secili ka zgjedhur 21 janarin e vet, jo për të respektuar vlerat dhe parimet që mbron, por për t’ia përplasur historinë në fytyrë kundërshtarit. Madje edhe kur flitet për një vdekje të qetë në shtrat si ajo e themeluesit të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, sërish kihet parasysh armiku i sotëm.

Do të mjaftonte kjo ndarje preferencash përkujtimore dhe rrëfimet diametralisht të kundërta të “veteranëve” për ta ndjerë veten të turpëruar si shqiptarë. Në këtë ditë krenaria për Kongresin e Lushnjës do të kishte kuptim vetëm për nxënësit e fillores, sepse gjithë të tjerët do ta krahasonin automatikisht me parlamentin e sotëm dhe do të ulnin kokën.

100 vjet janë tmerrësisht shumë për të mos nxënë se në një vend normal patriotët dhe tradhtarët nuk e emërojnë vetë njëri-tjetrin dhe se engjëjt apo djajtë e kulluar nuk ekzistojnë.

Por mbi të gjitha, se askush nuk do të gjykohet nga ato që thotë për veten dhe për ata që ka përballë, por vetëm për atë që ka bërë për popullin e vet. Dhe kjo vlen për 21 janarin dhe për çdo datë tjetër me të kuqe apo me të zezë të kalendarit tonë.

Koha ikën shpejt dhe ajo është gjithmonë e pamëshirshme për gënjeshtarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb