TIRANË

Seanca parlamentare ka nisur me disa replika mes PD e PS pasi demokratët kërkuan një pushim 30 minuta. Ndërsa Enkelejd Alibeaj kërkoi pushimin pasi opozita do të zhvillonte një mbledhje grupi për çështjen e rendit të ditës, kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ironizoi kreun e PD-së Lulzim Basha.

Alibeaj: Do bëjmë një mbledhje grupi 30 minuta, prandaj na duhet 30 minuta pushim e të fillojmë më vonë seancën.
Balla: Kërkesa për pushim është gjithmonë në lidhje me rendin e ditës. Ju lutem mos ta bëjmë qesharake punën e Kuvendit. Ne të vijojmë me punën normale, në momentin që ju të jeni prezent në sallë le të fillojmë. Thuajeni troç, keni vënë Lulzim Bashën të parin në listë dhe ai nuk vjen dot para orës 10 dhe jemi në rregull.

Nga ana tjetër LSI ka shtruar çështjen e ministrave dhe refuzimin e tyre ndaj komisioneve parlamentare. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi të mbajë një qëndrim për refuzimin që ministrat Sandër Lleshaj apo Ogerta Manastirliu i kanë bërë komisioneve ku ishte planifikuar dëgjesa dhe rastin e fundit të ministres së Arsimit Besa Shahini, e cila braktisi komisionin.

“Është qesharake dhe e papranueshme mungesa e ministrave në Komisionet Parlamentare. Sa për kërkesën për pushim të PD, kjo e drejtë është e garantuar dhe kjo mundësi është përdorur dhe shpërdoruar sa herë t’i dojë qejfi edhe grupit të PS, nëse do merremi me këtë 20 minuta pushim, atëherë lëreni rregulloren e thuajeni se rregullorja është e jona dhe s’keni pse rrini hiç”, deklaroi Vasili.

Kreu i Kuvendit i ka kërkuar Vasilit të lexojë procesverbalin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku ka shprehur qëndrimin e tij të qartë.
“Qëndrimi im ka qenë i qartë në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Në qoftë se do të njihesh me pozicionin tim mund të marrësh procesverbalin e ta lexosh. lidhur me përgjigjet e letrave që më ke dërguar unë i jam përgjigjur me shkrim dhe mund t’i lexosh deri në seancën tjetër”, tha Ruçi.

Pas kësaj ai ndërpreu seancën për 30 minuta pushim me kërkesë të Partisë Demokratike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb