Akademiku dhe deputeti i zgjedhur i PD, Mark Marku, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, në “News 24”, komentoi gjendjen aktuale të Partisë Demokratike dhe rezultatin zhgënjyes në zgjedhje.

Për Markun, Partia Demokratike duhet t’i nënshtrohet një rikonceptimi dhe rimodelimi të plotë, për t’u rikthyer sërish në pushtet. Ai tha se PD në zgjedhje kishte një plan ekonomik mjaft të mirë, por kjo sipas tij nuk mjafton.

Aspekte negative sipas Markut, ishte fakti që lideri demokrat Lulzim Basha, bëri një fushatë të personalizuar, duke “zbehur” rolin e kandidatëve të tjerë.

Nga fundi i fjalimit, ju thatë që mund të gjendemi sërish në një situatë të tillë pas 4 vitesh. Ju dhatë një platformë me 5 pika. Do të ketë frymëmarrje për PD nëse shkohet me këtë platformë?

Mark Marku: Unë idenë e rithemelimin s’është e imja, është tradicionale për partitë Evropiane. Rithemelimi si koncept është një akt riformatimi. Që të jesh jetëgjatë duhet të ndryshosh veten, t’i [përshtatesh rrethanave. Të sjellësh ide të reja, të hapesh. Si të tilla, kanë nevojë për momente transformimi të madh, që të gjejë një funksion të ri. Unë kisha guximin dhe shqetësimin për ta thënë. Partitë e mëdha, edhe kur janë të suksesshme, s’i shfaqen shoqërisë me një të njëjtën ofertë politike. Në rastin e komunikimit politik, çdo forcë politike duhet ta bëjë këtë një herë në 15 vite. Ju keni dëgjuar që republika e 5 e Italisë. Edhe shteti duhet rikonceptuar, sepse lind nevoja, sistemi konsumohet, bllokohet. Shteti duhet të rikonceptohet, por më parë, duhet të rikonceptohen partitë. Ne i themi qytetarëve do të sjellim ndryshimin, por si do e sjellim, nëse nuk ndryshojmë vetë. Unë them që nuk është kusht për shkak se kemi humbur, por në kushte normale, një parti ripërtërin ofertën.

Me çfarë oferte u fut PD në zgjedhje?

Mark Marku: PD kishte program ekonomik shumë të mirë, por kjo nuk mjafton. Duhet rikonceptuar sistemi i marrëdhënieve, parti-qytetarë, parti-grupe interesi, parti-anëtarë. Pas 15 vitesh, kushdo, do të bëjë një ndryshim në shtëpi, sepse ka probleme, çdo familje që ka mundësi, bën rikonstruksion. Trupat politike, që janë të gjalla, dinamike, do të duhet të ripërtërijnë ofertën. Për këtë arsye PD pati një program ekonomik, një fushatë të mirë, por këto nuk mjaftuan.

Cilat ishin gabimet e fushatës?

Mark Marku: Personalizimi i fushatës nga Basha. Në përpjekje për të fokusuar rolin e liderit, nuk pati përfaqësim. Në shoqëritë moderne, partitë që kalojnë 50 % janë të rralla. Shoqëria moderne është e fragmentizuar. Pra, nuk e mbulon një shtresë të madhe popullore. Për këto arsye, edhe ideja e mbulimit të një territori të madh është e vështirë. Partitë moderne, e kanë zgjidhur kështu: Duke rritur pluralizmin. Pushteti do shumicë.

Në fjalimin që pati Basha, a patë reflektim?

Mark Marku: Jo. Ishte fjalim që duhej mbajtur para 8 vitesh. Ishte formalisht korrekte, por s’thoshte asgjë. Basha duhet të tregonte si do të ndryshojë Basha, PD, si do të përballet me regjimin. Fjalimi i Bashës ishte korrekt, por s’kishte kund.

Basha tha që nuk i njohim zgjedhjet. Sa inspirim ka te kjo platformë?

Mark Marku: Ti shtrish dorën qytetareve në thelb s’do të thotë asgjë. Duhet krijuar një marrëdhënie të re me shoqërinë. Nuk mjafton t’i thuash hajde te mua. Duhet që përmes ofertës që t’i bën, krijon garanci që kjo ofertë do të shkojë në shërbim të qytetarëve. Në fakt, marrëdhënia me shoqërinë, në mënyrë utilitare vetëm në diktatori bëhet. Duhet rimenduar mirë, marrëdhënia e PD me qytetarët. Duhet që PD të shndërrohet në platformë transfrormuese dhe mbi këtë bazë të krijojë marrëdhënie të reja. Nuk krijohet hapësira ndërveprimi dhe nuk jepet garanci për qytetarët. PD duhet të bëhet një parti, që njerëzit të mos zgjedhin mes një të keqeje të madhe dhe më të vogël, por mes një pushteti të korruptuar dhe një pushteti të rigjeneruar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb