Pas një periudhe të vështirë dhe me shumë luhatje në rezultate, Egnatia duket se ka rigjetur formën dhe besimin në momentin më të rëndësishëm të sezonit.

Kampionët në fuqi synojnë që të përfitojnë maksimalisht nga çdo gabim që mund të bëjnë rivalët direkt si Elbasani dhe Vllaznia, për të ngushtuar diferencën në renditje para fazës “Final 4”, aty ku gjithçka mund të ndryshojë pas përgjysmimit të pikëve. Në kampin rrogozhinas tashmë fryn një tjetër atmosferë. Ardhja e Nevil Dedes në pankinë duket se ka sjellë motivimin dhe qetësinë e munguar në skuadër.

Tekniku ka arritur të rikthejë besimin te grupi në një moment kur Egnatia po kalonte një nga periudhat më të vështira të sezonit. Para ndeshjes me Partizanin, të fituar me shifrat 2-0, kampionët vinin pas katër humbjeve radhazi, një seri negative që kishte vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e objektivave madhorë të skuadrës. Megjithatë, suksesi ndaj të kuqve riktheu optimizmin dhe mbi të gjitha tregoi se Egnatia vazhdon të mbetet një skuadër me potencial të madh.

Fitorja ndaj Partizanit nuk kishte vlerë vetëm për tri pikët, por edhe për aspektin moral, pasi riktheu entuziazmin në një moment vendimtar të sezonit. Në Rrogozhinë besojnë se periudha më e vështirë është lënë pas dhe se skuadra mund të futet sërish fuqishëm në garën për titull. Diferencat aktuale në renditje konsiderohen të rikuperueshme, sidomos duke pasur parasysh formulën e “Final 4”, ku përgjysmimi i pikëve mund të rihapë totalisht garën.

RIVALI I RADHËS – Tashmë fokusi i Egnatias është te përballja ndaj Teutës, një takim që pritet të jetë tepër i luftuar. Durrsakët luajnë për mbijetesë dhe në rast të një tjetër hapi fals, Teuta rrezikon seriozisht rënien nga Superiorja, ndaj pritet që skuadra bregdetare ta trajtojë këtë sfidë si një finale. Kjo e bën edhe më delikate ndeshjen për Egnatian, e cila gjithashtu ka nevojë urgjente për vazhdimësi rezultatesh pozitive. Historia e përballjeve mes dy skuadrave ka qenë gjithmonë interesante.

Deri para këtij sezoni, Teuta konsiderohej si “macja e zezë” e Egnatias, pasi për vite me radhë rrogozhinasit nuk arrinin dot të fitonin ndaj durrsakëve. Por ky sezon ka sjellë një kthesë të madhe. Tashmë është Egnatia ajo që është kthyer në skuadrën më problematike për Teutën. Në pesë ndeshjet e zhvilluara këtë edicion, tre në kampionat dhe dy në Kupën e Shqipërisë, bilanci është plotësisht në favor të kampionëve. Egnatia ka arritur katër fitore, ndërsa një takim është mbyllur në barazim. Një dominim i qartë që ka ndryshuar totalisht raportet mes dy skuadrave dhe ka rritur ndjeshëm besimin e rrogozhinasve për sfidën e radhës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: