U mblodh sot Konferenca e Kryetarëve për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga 41 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, “Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake””.
Deputetja e PD Jorida Tabaku është shprehur se e drejta e krijimit të komisionit hetimor parlamentar është e garantuar nga Kushtetuta.
“Ju mund të sillni këtu gjoja argumente, por ka qenë Kushtetuta ajo që ka përcaktuar se si ngrihet një komision hetimor dhe cili është roli juaj në këtë çështje.
Ne po kërkojmë një komision hetimor për veprimtarinë e një kompanie që nuk ka aktivitet publik. Akuzat janë të rënda dhe pikëpyetjet janë të mëdha për veprimtarinë e kësaj kompanie shtetërore.
Unë vij me eksperiencë nga një komision hetimor. Të njëjtin qëndrim keni pasur edhe atëherë, të njëjtat argumente keni sjellë. Por e vërteta është se ai komision ekspozoi një nga skemat më të mëdha korruptive. Çështja e inceneratorëve rezultoi të ishte një nga rastet më të mëdha të korrupsionit.
Prandaj, ne këtu mund të diskutojmë vetëm për objektin e kërkesës që kemi parashtruar, jo për ngritjen e komisionit. Këtë e garanton Kushtetuta. Na e ka dhënë Kushtetuta të drejtën e hetimit parlamentar”, tha ajo.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti mirëkuptimin dhe vendosi që çështja t’i kalojë seancës plenare.
