TIRANË

Deputetja e zgjedhur e PD Jorida Tabaku ka folur sot në studion e News24, në rubrikën “Opinion” për disa çështje të aktualitetit, duke nisur së pari me ndryshimet në statutin e PD. Ajo zbardhi detaje nga mbledhja e sotme ku u pranuan propozimet e kryedemokratit Lulzim Basha për statutin dhe duke dhënë arsyet pse u hodhën poshtë propozimet e Kadillit dhe Harxhit.

“Ishte një mbledhje për pothuajse 2 orë e gjysmë që pati diskutime të rëndësishme e konstruktive. U diskutua në parim që platformat e Kadillit dhe Harxhit ishin të prezantuara gjatë fushatës si mënyrë që do donin ta drejtonin PD.
Elementë të tyre u panë me interes për t’u përkthyer në statutin e PD. Parimi bazë u diskutua që partia të jetë fleksibël, të jetë e hapur me përfshirje sa më të gjerë dhe së dyti të jetë në funksion të zgjedhjeve. Për të qenë më afër qytetarëve.
Nuk ka qenë ndonjëherë problem statuti i PD. Kemi pasur procese shumë të mira. Ideja është për t’i forcuar mekanizmat e demokracisë.
Po bëhet një riorganizim. Pas fushatës zgjedhore, statuti përcakton përfundimin e mandatit të disa strukturave. U bënë ndryshimet dhe analiza që formalizohet nesër.
Besoj që PD është një parti që në të mirat e të këqijat e saj ka procese vendimmarrëse demokratike.
Ndryshimi nuk bën asnjëherë keq. Nuk ka asgjë të keqe të zgjerosh partinë. E rëndësishme është që ka dëshirë për t’u përfshirë. Është fakt që pas masakrës elektorale nuk do jemi në qeveri, por ka shumë njerëz që kanë shprehur dëshirën për t’u përfshirë në PD.
Në të gjitha platformat, në të gjitha institucionet dhe në terren me qytetarët për të qenë me ta për kauzat.

Besoj që zgjerimi i Këshillit Kombëtar, marrja e ekspertizës profesionale veçse mirë i bëjnë PD dhe po të ishim në kushtet e qeverisjes në shtator”, deklaroi Tabaku.

Ndërkohë duke u ndalur tek denoncimi për aferat korruptive dhe tenderat, Tabaku tha se janë denoncime të bëra prej 8 vitesh nga PD dhe se pamja e qeverisjes së Ramës përtej këtyre shifrave është korrupsioni.

“Kjo është pamja e tenderëve në 2020. Në 8 vite me radhë ka qenë e njëjta pamje. 1 në 3 tendera pa garë. Koncesionet pa oferta të kërkuara. Ka ligje speciale, ne i kemi denoncuar të gjitha. Pamja e qeverisjes së Ramës përtej këtyre shifrave është korrupsioni. Është një korrupsion që nuk ka lindur dje. Nuk mund të vijë e të flasë sikur ka lindur dje dhe as sikur fajin e kanë 30 specialistë. Vendi më i korruptuar i BP. Në qoftë se vendimi i kushtetuese i dha të drejtë opozitës për Teatrin, lidhej me ligjin special. Kompani guackë që marrin pjesë në tendera, me kompani ofshore që përgatiten të marrin fonde publike ndodhin me vullnet politik. Tregon që lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë prioritet. 1 në 3 tendera pa garë e kemi thënë në 2015, në 2018 Gjykata Europiane tha të njëjtën gjë”, u shpreh deputetja e PD.

Sa i përket aksioneve të SPAK, Tabaku tha se Prokuroria e Posa㖧me nuk e ka treguar ende që nuk është një vegël politike.

“Është për të qarë se çfarë niveli banal ka rënë qeverisje për një vend pune për një arkë peshk. Nuk ka pse të gëzohemi fare që një ministre është në arrest për një vend pune. Kushdo që preket nuk është më në funksion, ashtu si znj. Vodo nuk është.

SPAK e konsideroj një organ të pavarur, duhet të tregojë që nuk është një vegël politike. Deri tani nuk e ka treguar. Tenderin e uniformave e kemi denoncuar një muaj pasi dolën kriteret e tenderit, ministri na hodhi në gjyq për shpifje. Kryeministri iu del për zot.

Kemi çuar në SPAK dosje të rëndësishme dhe akoma nuk kemi parë diçka serioze që prek dikë në pushtet. Kemi denoncuar për 8 vite më radhe Tushen. Ka mbrojtje politike për ato që mbajnë pushtetin, ato që nuk na duhen i hedhim. Do ta shikoj SPAK kur të shikoj ato dosje që i kemi denoncuar ne, gjithë bota. I inkurajoj të mos merren me nivele të dyta, por me përgjegjësit e vërtetë.
I vlerësoj këto që kanë nisur, por do jem entuziaste për rezultatet e aferave të vërteta nga të cilat ka vuajtur buxheti i shtetit. Kam qenë nga ata persona në PD që kam kërkuar ta vendosim në provë SPAK-un. Do jem entuziaste të shikoj rezultate për ato që është krijuar SPAK, goditja e korrupsionit në nivele të lartë. Këto procedime ndodhnin dhe më përpara, i bënte prokurori i rrethit”, u shpeh ajo.

Në lidhje me deklaratat e ndërkombëtarëve për luftën kundër korrupsionit, Tabaku tha se mbështetja e partnerëve tanë ka qenë gjithmonë.

“Gjithmonë partnerët tanë si SHBA dhe BE, sidomos BE kanë bërë deklarata dhe problemi kryesor ka qenë fakti që korrupsioni është rritur, i faktuar nga inst ndërkombëtare dhe që nuk ka pasur procedim për nivelet e larta. Sa më shumë të flasim për korrupsionin, aq më mirë është për ta kthyer në normalitet.

Çdo gjë ndihmon. PD ka bërë një luftë për korrupsionin, parimore. Kemi denoncuar çdo aferë. Sot çdo aferë për të cilën flitet është denoncuar nga PD.

Kam qenë në SPAK për çështjen e inceneratorëve, na thanë që ka filluar një hetim, por nuk kam detaje. Nuk jam në dijeni në cilën fazë janë hetimet”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse do ketë pushime gjatë verës në PD, Tabaku theksoi se pavarësisht propagandës së qeverisë, PD ka qenë dhe është gjithmonë në punë, pavarësisht a është verë apo jo. “Është periudhë e mirë për të rifreskuar strukturën e PD. Ditët e fundit kam takuar biznese që preken nga fiskalizimi, s’ka lidhje me verën apo me sesionin e ri të parlamentit. PD ka qenë dhe do jetë afër qytetarëve dhe kjo do të intensifikohet”, tha ajo.

Për fiskalizimin Tabaku theksoi se është një tender korruptiv i cili u krijua për një biznes të caktuar, një kompani kroate që mori paratë e iku nga Shqipëria, ndërkohë që bizneset janë duke paguar tarifa shumë të larta. Nga 200 euro në 1300 euro. Po blihet një pajisje e re, një firmë dixhitale, një financiare. Iu janë marrë dhe pagesat për mirëmbajtjen e kasës që do dilte nga funksioni. Sa herë kanë marrë një aksion formalizimi ka rezultuar me rënie të ardhurash. Duhet një filozofi e re me bizneset. Është një sistem tjetër që do ketë pagesë më të lartë. Ndiej keqardhje për bizneset që ndodhen në një periudhë pandemie, pa mbështetje nga qeveria dhe nga ana tjetër me një taksë e gjobë nga qeveria. Do jetë një barrë fiskale shtesë që do ndihet që tani. Propozimi do ishte që shteti t’i mbështeste”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb