TIRANE – Partia Demokratike akuzon OSHEE-në se po kthehet në një organizatë kriminale, që dhunon qytetarët dhe është shkaktare e humbjes së disa jetëve. Sipas PD-së, “OSHEE është kthyer në një mashë të verbër në duart e Edi Ramës”.
“OSHEE po aplikon çdo ditë të njëjtën filozofi, errësirën dhe burgun për të pamundurit, dhe sulmet ndaj opozitës. Partia Demokratike nuk po kërkon asgjë tjetër, përveç faturimit të drejtë e të rregullt të qytetarëve, mbi bazën e konsumit të tyre.” – thuhet në deklaratën e PD-së.
Partia Demokratike thekson se do të kërkojë me vendosmëri ndaljen e abuzimit në kurriz të qytetarëve, dhe faturimin e tyre të drejtë.
“Pikërisht arbitrariteti i OSHEE i mori jetën Qamil Zelës, i cili u syrgjynos në qeli për më shumë se dy muaj për 35 mijë lekë të vjetra debi. Arbitrariteti i OSHEE i mori jetën kryefamiljarit tjetër në Novoselë, Llazi Nasi, i cili u mbifaturua disa herë më shumë se konsumi, e nuk gjeti asnjë ditë zgjidhje në dyert e këtij institucioni. Arbitrariteti i OSHEE vuri në rrezik jetën e djalit 7-vjecar në Gur të Zi në Shkodër i cili ka nevojë për energji, për të vënë në punë pajisjen që e furnizon me oksigjen. Familjarët dëshmojnë se në zyrat e këtij institucioni nuk po gjenin asnjë zgjidhje, aq më pak ndjeshmëri e humanizëm për fatkeqësinë e tyre. Arbitrariteti i OSHEE që sillet me qytetarët si skuadër ekzekutimi e ushtrisë armike, ka cuar në akte ekstreme e të dëshpëruara dhjetëra qytetarë deri më sot. Arbitrariteti i OSHEE ka nxitur revoltën kudo në çdo fshat, lagje, rrugë e qytet të vendit. Kjo organizatë kriminale po mbjell dëshpërim në mijëra familje me arrogancën e saj, me abuzimin, me mbifaturimin, me faturat aforfe, e me kamat-vonesat mbi këto gjoba të padrejta.”- vijon deklarata e PD-së.
Sipas Partisë Demokratike, “e gjitha kjo ndodh, ndërkohë që drejtuesit e saj, janë zhytur në përvetësime galopante me tendera, dhe teksa favorizojnë miqtë e tyre që janë debitorë deri në 205 milionë lekë, si rasti i deputetit të mazhorancës”.
“I kujtojmë sot drejtorit të OSHEE se nuk ka korrupsion që do ta shpëtojë nga bëmat e të shkuarës së tij me tendera që kanë sjellë 1.3 milionë dollarë dëme në shtet. I kujtojmë drejtorit të OSHEE se do të mbajë përgjegjësi për të gjitha abuzimet e dhunimet e qytetarëve, ditën kur drejtësia të vijë. Kjo është një lavdi e përkohshme që ai po e shijon bashkë me shefin e tij, Edi Rama, frymëzuesin e represionit të pashembullt ndaj qytetarëve”- përfundon deklarata e PD-së.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: