TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi deklaroi sot se “ndërtimi i fabrikës së kokainës dhe për më tepër në zemër të vendit e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi të Europës”. Zbulimi i laboratorit të drogës dy ditë më parë dhe arrestimi i 11 personave të përfshirë në trafik ndërkombëtar, ka sjellë disa reagime nga ana e opozitës, e cila ka akuzuar përmes përfaqësuesve të saj, kryeministrin dhe qeverinë për dështim dhe lidhje me krimin. “A janë anëtarët e kësaj bande kriminale financues të fushatës së Partisë Socialiste?”, është një prej pyetjeve që PD i drejton qeverisë dhe autoriteteve përkatëse në lidhje me zbulimin e këtij trafiku kokaine.

“Sot është mëse e qartë se instalimi i laboratorit të kokainës, që Edi Rama e cilëson me mburrje si më të madhin e më modernin në Ballkan, është shenjë tronditëse e kthimit të Shqipërisë në një Kolumbi të drogës. Jo vetëm për faktin se dy shtetas kolumbianë ishin të përfshirë në organizatë, por sidomos për faktin se një impiant i tillë i prodhimit të kokainës, arrin të ndërtohet e të funksionojë në zemër të Shqipërisë, me lehtësinë më të madhe”, deklaroi sot deputeti Boçi.

Ai shtoi se po të ishte për kryeministrin dhe ministrin e brendshëm, kokaina do vazhdonte të prodhohej e të tregtohej. “Duhet të jemi të qartë, se po të ishte për qeverinë tonë, për Edi Ramën dhe Saimir Tahirin, që dolën dje e rrahën gjoksin ku munden, kokaina do të vazhdonte të prodhohej e tregtohej në Europë. Po të ishte për ta, fabrika e drogës nuk do të ndalej asnjë çast, madje me siguri ajo do të rritej e do ta shtonte aktivitetin. Falë policive partnere, u arrit konstatimi dhe ndalimi i autorëve e sekuestrimi i laboratorit”, tha Boçi.

Ai tha se Rama dhe Tahiri nuk kanë treguar të vërtetën dhe nuk falënderuan partnerët europianë. “Edi Rama dhe Saimir Tahiri nuk gjetën asnjë moment dje të tregonin të vërtetën, dhe as të falënderonin partnerët europianë, që jo vetëm sollën informacionin por dhe ndihmuan në suksesin e operacionit, kryesisht me faktin se mbajtën kontakte me një pjesë të strukturave tek të cilat ata kanë besim”, tha deputeti i PD-së.
Luçiano Boçi i ka drejtuar një sërë pyetjesh autoriteteve përgjegjëse duke kërkuar transparencë për veprimtarinë kriminale të zbuluar mbrëmjen e së mërkurës. “Ajo çfarë i mbeti qeverisë dhe autoriteteve tona ishte të bënin transparence dhe ti japin përgjigje pyetjeve të qytetarëve: Si ka mundësi që ushtronte prej një viti aktivitetin një fabrikë e tillë, dhe autoritetet kishin mbyllur sytë e veshët? A janë anëtarët e kësaj bande kriminale financues të fushatës së Partisë Socialiste? A janë krerët e kësaj bande të lidhur me zyrtarët e lartë të partisë në pushtet dhe sponsorizues edhe në qëndrimet jashtë të funksionarëve të lartë, si për shembull në Bruksel? A janë drejtuesit kryesorë të këtij grupimi kushërinj të afërt të ish-deputetit socialist, sot zëvendësministër i Ramës? Mungesa e transparencës, mungesa e përgjigjeve i damkos ata si përgjegjës të shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi të drogës nga banditë të lidhur me qeverinë”, ka përfunduar Boçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb