Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar sot në lidhje me rastin e Manjola Cakonit, e cila i mbijetoi tragjesisë së 26 nëntorit së bashku me të birin por humbi bashkëshortin dhe vajzën.

PDIU deklaron se banorët e Thumanës u lanë në mëshirë të fatit megjithëse ajo strukturë ishte rrezik i pastër qysh nga tërmeti i parë i shtatorit e deri ditën e tragjedisë por se akti i fundit, ai i telefonatës personale të kryeministrit që i drejtohej me fjalët “turp të ketë Manjola” është një akt në kufijtë e marrëzisë.

Sipas PDIU, në çdo vend normal demokratik do duhej të kishte dhënë dorëheqjen çdo pushtetar që mund të guxonte të bëntë një akt të tillë.

“Përpara disa ditësh dëgjuam apelin e zonjës Manjola Cakoni në media. Zonja e cila ka humbur bashkëshortin dhe bijën 15-vjeçare kërkon drejtësi për viktimat dhe mbështetje nga shteti për të gjallët. Është rasti tipik kur strukturat e drejtësisë nuk mund të fusin kokën si struci në rërë dhe duhet të na thonë të vërtetën e Thumanës. Banorët e Thumanës u lanë në mëshirë të fatit megjithëse ajo strukturë ishte rrezik i pastër qysh nga tërmeti i parë i shtatorit e deri ditën e tragjedisë.
Seriali i fatkeqësive nuk mbaron këtu. Zonja që ka humbur njerëzit më të shtrenjtë të saj në atë pallat tmerri, sot nuk mundet të ketë mbështetje nga shteti sepse nuk ka tre viktima në familje por ka vetëm dy, sepse vetëm në këtë vend njerëzit mund të numërohën si kokë bagëtish e jo si qënie njerëzore, të humbura në një tragjedi me leje shtetërore.
Akti i fundit, ai i telefonatës personale të kryeministrit që i drejtohej me fjalët “turp të ketë Manjola” është një akt në kufijtë e marrëzisë. Kreu i shtetit guxon të marrë personalisht një viktimë të shumfishtë të tërmetit e ta fyejë e shantazhojë???
Në çdo vend normal demokratik do duhej të kishte dhënë dorëheqjen çdo pushtetar që mund të guxonte të bëntë një akt të tillë.
I bëjmë thirrje çdo gruaje, vajze, nëne, të rinj e të reja, që të reagojnë personalisht sepse akti ndaj Manjolës sot është një akt që rëndon personalisht çdo grua, e çdo burrë në këtë vend”, deklaroi PDIU.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: