STRASBURG– Parlamenti Evropian kërkoi sërish që negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE të ndërpriten, nëse vendi miraton një reformë kushtetuese që riforcon pushtetet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Eurodeputetët ia drejtuan këtë kërkesë Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare të BE-së, vendimtare përsa i përket kësaj çështjeje, në një rezolutë jo-detyruese votuar nga një shumicë absolute (477 vota pro, 64 kundër, 97 abstenime) në seancën plenare në Strasburg.

Nëpërmjet kësaj kërkese ata kërkojnë që BE-ja të ndërpresë zyrtarisht negociatat për anëtarësimin e Turqisë nëse paketa e reformave kushtetuese zbatohet ashtu si është.

Kjo reformë, miratuar gjatë një referendumi në muajin prill, parashikon heqjen e funksioneve të kryeministrit në përfitim të një “hiperpresidenti” që mund të marrë dekretet dhe do të ketë dorë të lirë tek pushteti gjyqësor.

Parlamenti evropian uroi gjithahstu mbajtjen e një dialogu të hapur dhe konstruktiv me Ankaranë, veçanërisht në fushat e migracionit dhe luftën kundër terrorizmit.

Më parë, ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian, Omer Çelik kishte theksuar para takimit me komisionerin e BE-së, Johannes Hahn se procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE është themeli i marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb