Parlamenti Evropian ka miratuar marrëveshjen tregtare të arritur vitin e kaluar mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke hapur rrugën për lehtësimin e shkëmbimeve tregtare dhe shmangien e një raundi të ri tensionesh tarifore mes Brukselit dhe Uashingtonit.
Marrëveshja parashikon heqjen e disa taksave të importit nga ana e BE-së dhe lehtësimin e aksesit në treg për kategori të caktuara mallrash amerikane. Nga ana tjetër, importet e mallrave të Bashkimit Evropian në SHBA do t’i nënshtrohen një tarife prej 15%.
Kryetari i Komitetit të Tregtisë në Parlamentin Evropian, Bernd Lange, e cilësoi marrëveshjen si një kompromis të arritur në kushte të vështira, duke theksuar se janë siguruar masa për mbrojtjen e interesave evropiane.
“Nën një presion të konsiderueshëm, ne siguruam mbrojtje të rëndësishme për të mbajtur interesat evropiane në rrugën e duhur. Një gjë është e sigurt: ne do ta ndjekim nga afër zbatimin e saj”, deklaroi Lange.
Ndërkohë, Shoqata Gjermane e Industrisë së Automobilave (VDA) u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të zbatojnë sa më shpejt masat e parashikuara në marrëveshje, duke argumentuar se kjo do të ndihmojë në krijimin e stabilitetit për bizneset dhe industrinë eksportuese.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje shihet si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e marrëdhënieve ekonomike transatlantike dhe për shmangien e përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve tregtare mes dy partnerëve.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ranë dakord për një marrëveshje në gusht të vitit të kaluar.
SHBA-të do të kufizonin tarifat për shumicën e produkteve të BE-së në 15%, dhe në këmbim BE-ja do të hiqte tarifat për mallrat industriale amerikane dhe do të përmirësonte aksesin në treg për produktet bujqësore amerikane si mishi i derrit dhe produktet e qumështit.
