Personaliteti i letrave Pëllumb Kulla ka qenë i pranishëm në një mbrëmje ku u fol për letërsinë dhe publicistikën e tij në COD. Nga “Lamtumirë komandant” te “Sallaku ose si qeshnim në diktaturë” biseda u ndal edhe te vepra tjetër, një ribotim i vëllimit me tregime, “Lejlekët nuk vijnë më”. Eventi “Buzagaz nëpër Shqipërinë e rrethuar me tela” shpalosi përmasat e Kullës edhe përmes humorit dhe mirënjohjes.
“Ju falenderoj të gjithë ju që kemi jetuar bashkë, kemi vuajtur bashkë e jemi gëzuar bashkë. Mirë është të dëgjosh të flasin mirë për ty. Zakonisht thonë se filmat e të vdekurve kanë shumë sukses, ky po më ndjell mua, çfarë po më ndjell, se marr vesh(qesh). Në tërë atë periudhë që e titulluam ‘Buzagaz nëpër Shqipërinë e rrethuar me tela’, mund të them se në atë shkretëtire diktatoriale, unë kam gjetur oaze, kam gjetur njerëz që më kanë ndihmuar shumë”, tha Kulla.
Ndërsa Irena Toçi u ndal te intuita dhe aksionet e Kullës nga vitet 1960 e deri sot, Ermir Nika tha se ai ka bërë një arratisje nga Evropa lindore, ku ndjehej se shtetin e kishin politikanët dhe pushtetin artistët. Ndërkaq, Dekania e shkencave humane në UET, Belina Budini, vërejti qasjen e tij.
“Pëllumb Kulla është nga ata që guxon të kritikojë dhe të jetë grindavec edhe me pushtetin, ashtu si edhe me veten e vet. Besoj që kjo është edhe e bukura, surprizat që krijon ky autor, duke bërë autoironi dhe përqeshur edhe personalitetet me shumë pushtet, ka krijuar figurën e një ndikuesi në shumë kohë”, u shpreh Budini.
Me një publik që bashkoi, politikanë, publicistë, artistë e sportistë, shumë prej tyre të njohur të Kullës.