TIRANE-Kundërshtimi që i bëri Kisha Katolike (sepse të jemi të qartë, Imzot George Frendo foli në emër të Kishës) Visar Zhitit si ambasador i Shqipërisë në Vatikan, ka ngjallur jo pak reagime. Ka që arsyetojnë qëndrimin e Kishës, Zhiti është i mirë por në Vatikan duhet një katolik (jo një mysliman) e këtu s’ka asgjë për t’u prekur, e ka po ashtu që s’e pranojnë, Kisha nuk duhet të ndërhyjë në punët e shtetit, ne jemi shtet laik dhe po lëkundet harmonia fetare; ka që e lexojnë intervistën e Imzot Frendos për “GSH” e po ashtu intervistën replikë të Zhitit për të, ka që i paragjykojnë si të parën, edhe të dytën.
Sot kemi opinionin e profesor Pëllumb Xhufit, i cili e sheh qëndrimin e Imzot George Frendos të shkëputur nga Kisha, e sheh si reagim cinik, të pavend e të dënueshëm. Për Xhufin, imzot Frendo “nxjerr në pazar’ një çështje delikate, e cila prek vetë thelbin kushtetues të shtetit shqiptar, si shtet sovran e si shtet laik” dhe e gjithë kjo sipas tij me “një mendjelehtësi e, mund të them, me arrogancë të habitshme”.

Teksa vlerëson Zhitin si diplomat (meqë e ka njohur në marrëdhënie të tilla), Prof.Xhufi shënon se Zhiti “zotëron ndoshta edhe më shumë se ndonjë klerik, virtytin e mirësjelljes, maturisë e respektit për tjetrin”.

Profesori vlerëson se ‘shkarje të tilla nga pozitat e shtetit laik prishin ekuilibrat, inkurajojnë shfaqjen e ekstremizmave, minojnë harmoninë fetare dhe u hapin rrugë pretendimeve absurde, një zgjedhje që bazohet mbi diskriminimin fetar”.
Studiuesi e historiani u është përgjigjur disa pyetjeve të “GSH” përmes e-mailit.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka propozuar Visar Zhitin si ambasador në Vatikani, e presidenti Bujar Nishani duket skeptik, vetë Kisha Katolike ka dalë kundër, pasi sipas saj, Zhiti është mysliman dhe në Vatikan duhet një katolik. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Një akt i paprecedent në marrëdhëniet e Kishës me shtetin, në Shqipëri e përtej Shqipërisë. I paprecedent në stil e formë, i paprecedent edhe në përmbajtje. Me sa dimë, procesi nga përzgjedhja në dhënien e pëlqimit (agreement) të një përfaqësuesi diplomatik në një vend të huaj, zhvillohet kryekëput në kanale diplomatike dhe në mënyrë tërësisht konfidenciale. Janë në lojë marrëdhëniet midis shteteve, por është në lojë edhe dinjiteti i personit. Një individ i përzgjedhur për të përfaqësuar shtetin e tij në një shtet tjetër, në fund të ditës mund të mos rezultojë i tillë për një mori arsyesh. Por kjo s’do të thotë se ai duhet të bëhet objekt dyshimesh e linçimesh publike. Me një mendjelehtësi e, mund të them, me arrogancë të habitshme, mons. Frendo “nxjerr në pazar” një çështje delikate, e cila prek vetë thelbin kushtetues të shtetit shqiptar, si shtet sovran e si shtet laik. Në të njëjtën kohë atakon në mënyrë të papërshtatshme marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe shtetit të Vatikanit, midis vetë institucioneve të shtetit shqiptar, midis presidentit e kryeministrit, që siç dihet, janë edhe ashtu problematike, ashtu siç atakon marrëdhëniet midis feve dhe komuniteteve fetare në Shqipëri dhe ç’është njerëzisht e fetarisht e papranueshme, lëndon dinjitetin e një personaliteti të respektuar, siç është z. Visar Zhiti. Mons. Frendo e bën këtë në një moment të vështirë të jetës së Visarit, kur të gjithë shqiptarët, pa dallim, i janë gjendur pranë atij. Cinizmi i mons. Frendo është, edhe për këtë arsye, krejtësisht i pavend e i dënueshëm.
A mendoni se ky qëndrimi i imzot Frendos është vetëm i Kishës? A ka gjasa që pas Kishës të jetë vetë Vatikani? Ju keni qenë diplomat, mbase mund të kuptoni më shumë se ne të tjerët mbi gjuhën e diplomacisë.
Pikërisht këtu fillojnë pikëpyetjet. Në ç’cilësi i ka lëshuar deklarata të tilla përvëluese monsignor Frendo? Me sa di unë, ai është zëvendës i ipeshkvit të Tiranës e Durrësit dhe Sekretar i Konferencës epishkvnore të Shqipërisë. Nga intervista e tij nuk kuptohet nëse flet në emër të vet apo të Kishës Katolike Shqiptare. Por, duke njohur maturinë e korrektesën që karakterizon sjelljet e Kishës Katolike, të institucioneve e të shërbyesve të saj në marrëdhëniet me shtetin shqiptar, është e vështirë të besohet që mons. Frendo është shprehur në emër të tyre. Nga ana tjetër, nuk ka gjasë që ai të jetë shprehur në emër të Vatikanit. Nuk i takon atij të flasë në emër të tij, përderisa Vatikani ka në Shqipëri një përfaqësues zyrtar, Nuncin apostolik, që është ambasadori i mandatuar nga Ati i Shenjtë për të ndjekur marrëdhëniet me shtetin shqiptar. Me sa dimë, Nunci apostolik nuk është shprehur për këtë çështje, dhe duke ditur që maturia dhe eleganca janë një virtyt i kahershëm i diplomacisë vatikane, as nuk ka arsye për të dyshuar se Nunci në fjalë do të lëshonte deklarata, si ato të mons. Frendo dhe aq më tepër në mënyrën krejt të papërshtatshme e indiskrete, që prelati në fjalë përdori në faqet e shtypit shqiptar.
Pak kohë më parë, Papa Françesku vlerësoi harmoninë tonë fetare. Qëndrimi i kishës ka ngjallur reagime që vënë në lëkundje harmoninë…
Edhe njëherë: le të jemi pozitivë e të mos e ngatërrojmë as Kishën Katolike Shqiptare dhe as Papa Françeskun me diatribën atipike të mons. Frendo. Kisha Katolike dhe personalisht Papa Françesku kanë dhënë mesazhe krejt të ndryshme nga ato që po përcjell mons. Frendo. Por përtej kësaj, të kërkosh t’i imponosh shtetit shqiptar, që është një shtet me histori e me nerv të fortë laik, një zgjedhje që bazohet mbi diskriminimin fetar, do të thotë t’i biesh ndesh ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Do të thotë gjithashtu, të shpërfillësh vetë historinë e traditat e vendit dhe në veçanti të Kishës Katolike Shqiptare. Mons. Frendo, me sa lexojmë, vjen nga Malta, nga vendi Urdhrit kalorsiak të Johanitëve, i cili u shqua, “me shpatë” më shumë se me fjalë, në betejat fetare të Mesjetës. Po futemi në histori, por ndonjëherë historia u jep kuptim ngjarjeve të ditës. Nuk po zgjatemi në aventurën dhe dizaventurën e madhe që përjetoi në Shqipëri, në vitin 1378, Mjeshtri i Madh i Johanitëve të Maltës, Huan Fernandez de Heredia. Por po i qasemi temës sonë, duke kujtuar memorandumin, që në vitin 1602, Kuvendi i katolikëve shqiptarë i dërgonte Papës Klement VIII. Mes të tjerash, katolikët shqiptarë i qaheshin Papës, që pa dëshirën e tyre, dërgoheshin në Shqipëri “ipeshkvë, abatë e klerikë të tjerë me kombësi, gjuhë e zakone të huaja, krejt të ndryshme nga ato të vendit” (vengono in queste nostre parti vescovi, abbati, et altri, alieni di natione, alieni di lingua, alieni di costumi et alieni d’ogni esser del paese). Klerikë të tillë, vazhdon memoriali, “kanë shkaktuar mosmarrëveshje të mëdha mes nesh”. Dhe në fund, autorët e memorandumit identifikojnë shkakun kryesor, që sipas tyre, gjeneronte mosmarrëveshjet në fjalë dhe që konsistonte në faktin se klerikët e huaj “nuk dinë të sillen me myslimanët” (hanno messa tanta confusione fra di noi… .per non saper il modo di vivere con Turchi). Kjo referencë historike mund të tingëllojë e hidhur për mons. Frendo, por gjykuar nga deklaratat e tij, është ajo që i përshtatet më së shumti. Në fund të fundit, një gjë të ngjashme me atë që u kërkon sot ballazi e prerazi autoriteteve shqiptare mons. Frendo, besojmë se do t’ia kërkonte nesër qeverisë sonë edhe ndonjë derdimen i shtetit islamik, nëse (larg qoftë!) një ditë ky do të bëhej faktor i jetës ndërkombëtare: “na dërgoni ambasador në Mosul një mysliman të ndershëm, mundësisht nga ata të “Rrugës së Kavajës”!
A është e mundur për një mysliman ta bëjë detyrën në Vatikan? A duhen përfaqësuar katolikët përmes ambasadorit në Vatikan? A ka ndonjë mesazh që ne nuk po e kapim?
Ju keni të drejtë që e shtroni në këtë mënyrë pyetjen, por ta dini që në terma ligjorë e kushtetues, dilema të tilla as që nuk duhet të ekzistojnë. Në Shqipëri, ashtu si në shumicën dërrmuese të shteteve demokratike që bazohen në heqjen e çdo barriere e të çdo diskriminimi mbi baza ideologjike, racore e fetare, shteti është i ndarë prerazi nga besimet fetare. Qasja laike e shtetit dhe e institucioneve zyrtare ka rëndësi themelore për ruajtjen dhe konsolidimin e bashkëjetesës e të harmonisë fetare. Për fat të keq, këto dy dekadat e fundit kemi asistuar në cedime të pafalshme që janë bërë nga politika zyrtare në dëm të kësaj qasjeje, që është një qasje kushtetuese, e pra e detyruar. Kujtojmë që vetëm para ndonjë viti u lejua që në Kuvend të hapej një debat i pavend e i paligjshëm mbi futjen e mësimit të fesë në shkolla, madje edhe në prani të klerikëve të besimeve të ndryshme. Vetëm para pak ditësh qeveria u mblodh në mjediset e një institucioni fetar… Vazhdimisht na ndodh të shohim e të dëgjojmë drejtues politikë të deklarojnë e të deklamojnë besimin e tyre fetar në mjetet e komunikimit publik. Askush nuk ua ndalon ta kenë, ta ruajnë e ta praktikojnë fenë e tyre. Por ligji, Kushtetuta dhe “praktikat e mira” të këtij vendi ia ndalojnë një funksionari publik të bëjë misionarin, të kthehet në një kalorës të Urdhërit të Johanitëve të Maltës apo, aq më keq, në një instrument të proselitizmit fetar apo të sillet në mënyrë jo-proporcionale kundrejt besimeve të ndryshme fetare dhe institucioneve të tyre. Shkarje të tilla nga pozitat e shtetit laik prishin ekuilibrat, inkurajojnë shfaqjen e ekstremizmave, minojnë harmoninë fetare dhe u hapin rrugë pretendimeve absurde si ato të formuluara pa frena e pa elegancë nga Mons. Frendo. Thënë kjo, do të ishte e tepërt t’i jepej një përgjigje pyetjes: “një katolik apo një mysliman në Vatikan”? Ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë përfaqëson shtetin dhe popullin shqiptar. Dhe nëse ka një paragjykim që duhet ta paraprijë e ta shoqërojë misionin e tij, ky duhet të jetë vullneti për t’i çuar përpara marrëdhëniet me këtë shtet të veçantë (këtu biem dakord me mons. Frendo) në të mirë të interesave të të gjithë shqiptarëve. Nga përvoja e gjatë e punës që kam patur me z. Visar Zhiti në MPJ, mund të them se ai e ka një vullnet të tillë. Por, ai ka edhe shumë më tepër se aq: ka përvojën e gjatë e të suksesshme në diplomaci, ka njohuri të thella për politikën e jashtme dhe posaçërisht për çështjet italiane e vatikane, është ndër diplomatët tanë më të kulturuar dhe zotëron, ndoshta edhe më shumë se ndonjë klerik, virtytin e mirësjelljes, maturisë e respektit për tjetrin.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: