Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër, ka arrestuar në flagrancë një punonjës të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Në pranga ka rënë Megin Gani Ademi, 32 vjeç, i cili mbante detyrën e specialistit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër.
Sipas hetimeve të kryera nga AMP, dyshohet se punonjësi i policisë nuk ka kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ndodhej në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.
Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme hetimore.
