Rritja e numrit të koshereve të bletëve në Shqipëri nuk pasqyron domosdoshmërisht gjendjen e mirë të sektorit të bletarisë. Pavarësisht statistikave pozitive, bletarët përballen me vështirësi ekonomike, mungesë mbështetjeje, përdorim të pakontrolluar të kimikateve dhe shtim të sëmundjeve që prekin kolonitë e bletëve.

Në një lidhje direkte për emisionin “Alert” në News24, mjeku veteriner dhe eksperti i bletarisë, Prengë Pepa theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet më të mira europiane për numrin e koshereve në raport me popullsinë, por puna e bletarëve mbetet e vështirë dhe shpeshherë jo fitimprurëse.

Sipas tij, bletët kanë një rol shumë më të madh sesa prodhimi i mjaltit, pasi kontributi i tyre në ushqimin e përditshëm dhe në bujqësi është thelbësor.

“Bletarët duhet të mbështeten, pasi janë shtresa më e varfër e vendit. Është një punë shumë e vështirë” u shpreh ai, duke kërkuar ndërhyrje më të fortë të shtetit, jo vetëm përmes mbështetjes financiare, por edhe me politika konkrete për zhvillimin e sektorit.

Një tjetër shqetësim lidhet me largimin e bletarëve të rinj nga profesioni. Sipas Pepës, në zona të vogla ka raste kur nga dhjetë persona që nisin aktivitetin e bletarisë, pas disa vitesh vetëm dy prej tyre vijojnë të merren me këtë punë. Interesi i të rinjve mbetet i ulët, ndërsa lodhja, kostot dhe rreziku për të dalë me humbje e bëjnë këtë profesion gjithnjë e më pak tërheqës.

Eksperti ngriti gjithashtu shqetësimin për përdorimin e kimikateve të dëmshme për bletët, të cilat, sipas tij nuk kontrollohen në nivelin që parashikon legjislacioni. Paralelisht, kolonitë përballen me sëmundje të shumta, ndërsa jo të gjithë bletarët kanë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për t’i trajtuar ato. Për këtë arsye, ai e konsideroi të domosdoshëm informimin dhe përditësimin e vazhdueshëm të bletarëve me metodat e reja të trajtimit dhe kujdesit.

Pepa solli si shembull edhe Hungarinë, ku sipas tij, bletarët mbështeten nga shteti për rinovimin e pajisjeve, duke pasur mundësi që çdo 5 vjet t’i zëvendësojnë ato me fonde publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb