Ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit synon të sjellë ndryshime të rëndësishme në marrëdhënien mes qytetarëve dhe bizneseve, duke përafruar legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

E ftuar në emisionin “Alert”, Ersida Teliti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Konsumatore Shqiptare (QKSH), e konsideron këtë ligj një prej detyrimeve të rëndësishme në procesin e integrimit europian, por edhe një ndryshim në mënyrën se si hartohet dhe zbatohet legjislacioni në Shqipëri.

“Si juriste, mund të them se ligji i ri dhe kuadri ligjor për përmbushjen e detyrimeve kanë ndryshuar edhe teknikën legjislative shqiptare. Nuk kemi më nene të ndara në paragrafë dhe pika, por një strukturë të re, në përputhje me metodologjinë e përafrimit të legjislacionit europian” shprehet Teliti.
Nga transparenca në përcaktimin e çmimeve, te tregtia online, kreditë konsumatore dhe agjencitë turistike, kuadri i ri ligjor parashikon mekanizma më të fortë për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

Një prej ndryshimeve që pritet të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët lidhet me metodologjinë e përcaktimit dhe reklamimit të çmimeve. Sipas Telitit, rregullat e reja synojnë të frenojnë praktikat abuzive që shoqërojnë fushatat promocionale, ku çmimet rriten fillimisht për t’u ulur më pas në mënyrë fiktive.

“Black Friday nuk do të ketë më mashtrime të konsumatorëve, pra rritje të çmimeve dhe më pas ulje të tyre, por do të kemi çmime reale” thekson ajo.

Një tjetër risi është forcimi i rolit të Agjencisë së re për Mbrojtjen e Konsumatorit. Sipas Telitit, kjo strukturë nuk duhet të kufizohet vetëm te informimi dhe këshillimi ligjor, por duhet të ketë mundësi t’i drejtohet edhe gjykatës për të mbrojtur interesat e konsumatorëve. Vlerësim pozitiv ajo bën edhe për rregullimin më të qartë të tregtisë online, kredive konsumatore dhe aktivitetit të agjencive turistike, fusha ku qytetarët përballen gjithnjë e më shumë me problematika dhe praktika të padrejta.

Megjithatë, përtej ndryshimeve në ligj, sfidë mbetet zbatimi i tij në nivel vendor. Teliti ngre shqetësimin për funksionimin e zyrave të mbrojtjes së konsumatorit pranë bashkive, veçanërisht pas ndarjes së re territoriale dhe riorganizimit të strukturave vendore.

“Nuk e dimë sa zyra për mbrojtjen e konsumatorit do të kemi. Ajo që parashikon ligji i ri është mbrojtja e konsumatorit pranë këtyre bashkive. Pavarësisht se kemi kërkuar hapjen e këtyre zyrave, kemi pasur rezistencë nga bashkitë, të cilat pretendojnë se kjo është përgjegjësi e strukturave qendrore” shprehet Teliti.

Ajo bën me dije se më shumë se 30 bashki kanë një strukturë minimale, me dy punonjës për mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa në një pjesë të tyre kjo përgjegjësi mbulohet nga punonjës që kanë edhe detyra të tjera. Madje, sipas saj, ka raste kur vetë punonjësit nuk janë në dijeni të ekzistencës së kësaj strukture.

Problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e kapaciteteve institucionale, por edhe me informimin e qytetarëve për të drejtat që u garanton ligji.

“Pjesa më e madhe e konsumatorëve nuk i njohin të drejtat e tyre, për shembull të drejtën për riparimin e produktit nga tregtari pa asnjë kosto. Këtë mund ta bëjnë zyrat e mbrojtjes së konsumatorit. Ato duhet të informojnë qytetarët dhe të adresojnë ankesat e tyre. Nëse qytetari nuk ka informacionin e duhur, punonjësi i bashkisë mund ta orientojë dhe ta njohë me të drejtat që ka”, nënvizon Teliti.

Teliti tha se zhvillimi i turizmit ka sjellë gjithashtu rritje të numrit të ankesave nga konsumatorët e huaj, duke shtuar nevojën për struktura funksionale që garantojnë informimin dhe trajtimin e problematikave të tyre.

Kështu, ndërsa ligji i ri synon të përafrojë Shqipërinë me standardet europiane, mbetet për t’u parë nëse institucionet qendrore dhe bashkitë do të kenë kapacitetin dhe vullnetin për ta kthyer mbrojtjen e konsumatorit nga një detyrim në letër, në një të drejtë që qytetarët mund ta ushtrojnë realisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: