PEQIN–Arrestohet në flagrancë drejtori i spitalit të Peqinit, Dashamir Malkja, 56 vjeç, pasi specialistë të OSHEE-së kanë konstatuar ndërhyrje në sahatin e tij.

Burime zyrtare nga Policia bëjnë të ditur se “56-vjeçari me profesion mjek , njëkohësisht  drejtori i spitalit të qytetit të Peqinit, akuzohet për vjedhje të energjisë elektrike, prej një kohe të gjatë”.

Mësohet se gjatë një kontrolli ushtruar nga ana e specialistëve të OSHEE-së, të shoqëruar edhe nga uniformat blu, u konstatua se 56-vjeçari kishte ndërhyrë në sahat duke bërë të mundur kështu edhe vjedhjen e energjisë elektrike.

Specialistët konstatuan se sahati ku ishte ndërhyrë furnizonte me energji elektrike biznesin e tij privat, i përbërë nga farmaci si edhe klinikë dentare. Pas verifikimit të specialistëve, Policia arrestoi në flagrancë mjekun i cili mësohet se nuk e ka pranuar vjedhjen ndërsa ka pohuar se “ ndërhyrja në sahat nuk është kryer nga ana e tij por se sahati ka qenë me defekt”.

Gjithsesi materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “vjedhje e energjisë elektrike”.

Aksioni i OSHEE-së në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kundër vjedhjes së energjisë elektrike, po vijon prej rreth një muaji në të gjithë vendin.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: