Fundi i thrillerit me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në ishullin grek të Aeginas dhe që tronditi gjithë Greqinë në vitin 2015 duket se është shumë afër, teksa 36-vjeçari shqiptar Ledjon Brakaj i ndaluar në Maltë pas 7 vitesh në arrati raportohet të jet autori i ngjarjes.

36-vjeçarit shqiptar tashmë i janë marrë gjurmët e gishtërinjve gjatë një seance në gjykatë dhe është në pritje të zbatimit të plotë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Greqia, që parashikon edhe ekstradimin e tij në Athinë.

Kujtojmë se krimi i dyfishtë në Aegina në 2015, i përngjante një filmi horror me Brakajn që dyshohet se ka djegur të gjallë në banesën e saj, ish-pronaren e tij, 70-vjeçaren Irini Marmarinou dhe nipin e saj 44-vjeçar Lambros Protonotarios për t’i grabitur 780 mijë euro.

Krimi i tmerrshëm ndodhi më 30 nëntor 2015 kur 36-vjeçari me bashkëpunëtorët e tij hynë në shtëpinë e të moshuarës pasi thyen me gurë xhamin dhe hynë nga dritarja.

Më pas ata e rrahën plakën dhe nipin e tyre për t’u treguar se fshihnin 800 mijë euro dhe kur humbën ndjenjat nga goditjet e shumta i çuan në një dhomë, duke i mbuluar me rroba për t’i djegur të gjallë.

Trupat u gjetën të djegur nga zjarrfikësit kur arritën të shuanin zjarrin. Mediat greke raportojnë se ADN-ja e autorit të dyshuar është gjetur në një kapele në shtëpinë ku ndodhi krimi dhe ka ndihmuar Policinë e Atikës për zbardhjen e krimit të dyfishtë.

Ndërkohë në një  artikull të datës 22 gusht, të medias greke ToVima sqarohet e gjithë saga e ngjarjes së rëndë dhe dalin në pah dëshmi të rëndësishme për mënyrën sesi shteti shqiptar pengoi testimin e ADN-së disa vite më parë që mund të kishte zbardhur të vërtetën.

Në artikullin e medias greke shkruhet se dëshmi të rëndësishme dolën përmes testimit të ADN-së që u dërgua në Shqipëri për vrasjen e dyfishtë të kryer në Aegina në nëntor 2015 me viktima 70-vjeçaren Irini Marmarinou dhe nipin e saj 44-vjeçar Lambros Protonotarios.

“Persona të panjohur hynë në shtëpinë e tyre. Ata e rrahën 70-vjeçaren derisa humbi ndjenjat, ndërsa nipi i saj 44-vjeçar u godit në kokë dhe gjoks. Dy viktimat humbën ndjenjat nga goditjet jo vdekjeprurëse, por më pas autorët i dogjën të gjallë”, raporton media helene.

Ndërkohë, po sipas tyre ADN-ja e autorit u gjet në vendin e sulmit dhe u zbulua se kishte ngjashmëri të konsiderueshme (“alele” të zakonshme në llojin gjenetik) me atë të një punëtori shqiptar që banonte në ishull dhe i njihte viktimat, çka përbën një fakt interesant pasi 36-vjeçari Brakaj ka qenë i punësuar në dyqanin e suvenireve të 70-vjeçares greke.

Kështu, pak kohë pas ngjarjes Policia e Atikës sipas ToVima nisi të kërkonte të paktën 50 të afërm të të huajit që jetonin në zonën e Aeginës, në Athinë dhe në Greqinë e Veriut, për të siguruar një mostër të materialit gjenetik.

Mirëpo, as atëherë nuk u arrit të kryhej asnjë identifikim i ADN-së me atë të autorit të krimit të rëndë.

Hetimi i policisë helene për më tepër u shtri edhe në një rreth tjetër të afërmve të të huajit me banim në një zonë të Shqipërisë.

Megjithatë, mbledhja dhe krahasimi i mostrave të ADN-së nga afërsisht 200-300 banorë të kësaj zone, anëtarë të të njëjtave familje, nuk u bë i mundur për shkak të “pengesave” nga pala shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb