Nga: ILIR KALEMAJ*
Në këto ditë të ethshme fushate elektorale që u paraprinë nga parafushata po aq shurdhuese, ajo që të bie në sy, përtej fasadës është sa pak i kushtohet rëndësi asaj që është vërtetë e rëndësishme për bashkitë e reja dhe veçanërisht qytetet kryesore. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për premtimet zulmëmëdha, as për kurimet e kujdesshme të kasetave që e nxjerrin kandidatin-aktor herë të qeshur e dashamirës, herë të vrenjtur për t‘i dhënë seriozitet, herë si një prind të ardhshëm të kujdesshëm dhe të dhembshur dhe herë si një tip sportiv me energji të papërmbajtshme. Jo, fjala është gjetkë dhe ka të bëjë me diçka tjetër.
Për paralelizëm, nëse e përfytyrojmë qytetin si një trup fizik, si mund të mos përmendet ose flitet fare pak, gati me pëshpërimë për kulturën dhe institucionet kulturore të një qyteti ku dihet se kultura është shpirti i komunitetit. Si mund të mos t’i kushtohet vëmendja e duhur projekteve konkrete për sportin, kur ky i fundit përbën muskujt që i duhen aq shumë një qyteti vital, për artin dhe veprimtaritë sociale që janë gjaku dhe arteriet e një qyteti jo thjesht fizik, për mendimin pa të cilin qyteti nuk ka tru. Ne edhe kafenetë, të vetmet institucione ku njerëzit mblidhen në qytetet e betonizuara dhe të thara nga jeta kulturore-artistike, i kemi kthyer në mejhane bjerraditëse ku mblidhen të papunët e rastit apo rinia e deprimuar, e papunë dhe pashpresë për të vrarë kohën në një botë ku koha është aseti më i çmuar.
Qytetet kanë nevojë para së gjithash për frymëmarrje. Për frymëmarrje fizike tashmë që enden mes baltës në dimër dhe pluhurit dhe smogut në verë. Për frymëmarrje shpirtërore ku shumica nuk kanë as biblioteka, kinema, muze apo terrene sportive, për mos të folur për teatër apo opera ku metropoli natyrisht është një përjashtim aq i rrallë në këtë drejtim. Për frymëmarrje biologjike, ku fëmijët nuk mund të rriten mes betonit dhe të ngujohen me playstation-at që u thajnë fantazinë qysh në moshë të njomë për mungesë aksesi në parqe e terrene lojërash dhe sportesh. Për frymëmarrje idesh, ku kafenetë të shoqërohen me institucione komunitare dhe sociale ku të ketë shkëmbim idesh, qoftë në formë bisedore, qoftë me anë të ekspozitave, institucioneve të kritikës letrare, debateve filozofike etj. Qytetet kanë jetësore të kenë edhe frymëmarrje demokratike ku të ketë qendra rinore dhe të rinjve të angazhuar t’u garantohet pjesëmarrja në jetën publike jo në bazë të militantizmit të verbër apo shërbimeve që ulin dinjitetin njerëzor, por në emër të vlerave, kontributeve dhe meritave të gjithsecilit.
Qytetet janë errësuar, duhen ndriçuar, hapësirat janë rrudhur, duhen zgjeruar, po vdesin, t‘u japim shpresë, janë plagë, t‘u japim të rinjve aspiratë. Ndaj kandidatët që besoj do të vlerësohen në fund janë ata që do të jenë në komunikim më të qartë, në sjellje më modestë, në bindjen që përçojnë më të sinqertë, me premtimet më të realizueshme, me përulësinë e nevojshme që duhet të ketë një administrator i mirë dhe i kujdesshëm, që nuk premton “gomarë fluturues”, por është pranë halleve të njerëzve të zakonshëm, kandidati apo kandidatja që ngjason më shumë me mesataren e njerëzve në një komunitet të caktuar.
Shpresoj dhe uroj që nuk do vazhdojmë të kemi forma të votimit familjar, të presioneve të rrugeçërve që mbështesin të “fortët” biznesmenë që njerëzit nuk do votojnë nisur nga frika, nga nevoja e çastit apo interesi “dy-lekësh”, por nisur nga vlerësimi që kanë për atë që kandidon, për fjalën dhe veçanërisht për gjurmët që ai/ajo ka lënë në punët që kanë pasur. Mbetet të shpresojmë te rinia dhe te të pavendosurit për votën jo vetëm pro modeleve pozitive dhe frymëzues për të konfirmuar që politikanët nuk janë të gjithë një prerje, por edhe kundër modeleve artificialë, laboratorikë apo mafiozë që mishërojnë atributet e një politike të vjetër pavarësisht ndonjëherë edhe moshës së re.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: