Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi ka mbërritur në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro për një vizitë zyrtare.

Sipas lajmit të gazetës shtetërore egjiptiane “Akhbar el-Yom”, ministri Ashkenazi i cili ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Kajros për një vizitë disa orëshe është ministri i parë i Jashtëm izraelit që viziton Egjiptin pas 13 vitesh.

Ashkenazi në kuadër të takimeve në Kajro do të takohet me homologun e tij egjiptian Sameh Shoukry dhe do të bisedojë për forcimin e armëpushimit të arritur mes Hamasit dhe Izraelit si dhe praktikat që do të lehtësojnë rindërtimin e Gazës.

Në një deklaratë nga llogaria në Facebook “Izraeli flet arabisht” që i përket Ministrisë së Jashtme izraelite bëhet e ditur se Ashkenazi ka thënë se në Kajro do të “bisedojë për armëpushimin dhe rindërtimin e Gazës nën vëzhgimin ndërkombëtar”.

Po ashtu thuhet se Ashkenazi do të fokusohet edhe në çështjen e “kthimit të ushtarëve dhe shtetasve izraelitë të cilët mbahen nga Hamasi”.

Brigadat Izz ad-Din Al-Qassam, krahu i armatosur i Hamasit kishte njoftuar se ka marrë peng 4 izraelitë prej të cilëve 2 ushtarë gjatë sulmeve që Izraeli ndërmori ndaj Gazës në vitin 2014. Brigadat Izz ad-Din Al-Qassam nuk kanë dhënë ndonjë informacion lidhur me situatën e këtyre personave.

Me vizitën e Ashkenazi-t, është hera e parë pas 13 vitesh që një ministër i Jashtëm izraelit viziton Egjiptin. Për herë të fundit ka qenë viti 2008 kur ministrja e atëhershme e Jashtme izraelite Tzipi Livni vizitoi Egjiptin.

Sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës nën bllokadë filluan më 10 maj dhe përfunduan më 21 maj në orën 02:00 me orën lokale, pas armëpushimit të arritur me Hamasin.

Në sulmet që Izraeli ka kryer në Gaza kanë humbur jetën 254 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra si dhe u plagosën 1.948 persona të tjerë/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb