Nga Ardian Bushi

Prej të paktën 4 muajsh Shqipëria është në protestë. Ky zjarr nuk lindi rastësisht. E ndezi mbrojtja që kryeministri Edi Rama dhe rreshterët e tij parlamentarë, me forcën e kartonit, mbrojtën zv.kryeministren Belinda Balluku, duke mos lejuar dërgimin e saj para ligjit, ndërkohë që mbi supe rëndojnë miliarda lekë të shqiptarëve.

Agravimi i protestës është pasojë logjike e një lideri autokrat që nuk njeh limite, ku dhuna institucionale ka arritur kufijtë, ku korrupsioni nuk njeh fre dhe ku shqiptarët po ikin nga vendi i tyre.

Nëse Rama do të kishte kursyer epitetet histerike ndaj protestuesve, sot nuk do të ishim këtu. Nëse ndërgjegjja, nëse i ka mbetur, do ta guduliste sadopak dhe nëse do ta donte këtë vend ashtu siç shtiret, do të kishte marrë përgjegjësinë që në nisje. Ndoshta do të kishte kursyer karrigen, do të kishte frenuar rënien ekonomike dhe do ta kishte shpëtuar vendin nga shkatërrimi.

Sot Tirana po digjet.
Protestat që nisën me thirrje paqësore i kanë lënë vend agresivitetit të të maskuarve që u turren institucioneve, semaforëve, bankave e deri komisariateve. Unë jam kundër çdo dhune, por në mënyrë të veçantë kundër dhunës shtetërore, verbale dhe institucionale.

Sot, pas tre muajsh, flitet hapur për dhunë nga të dyja anët, për protestues të plagosur nga policia dhe për policë të plagosur nga protestuesit. Por flitet edhe për diçka tjetër, policia ka ulur ndjeshëm reagimin e saj. Kjo të bën të mendosh se ka vetëm dy alternativa. Ose po pritet një riorganizim i saj për të vepruar më fort, ose Rama ka vendosur të dorëhiqet dhe të marrë përgjegjësinë. Ndërkohë, numri i protestuesve po shtohet. Krahas Tiranës, edhe rrethet kanë nisur t’i bashkohen protestës, dhe të parët që dalin në rrugë janë nxënësit e shkollave dhe studentët.

Deri dje Rama dhe të vetët deklaronin se në protestë janë përfshirë agjentura të huaja, por në asnjë moment nuk kanë sjellë qoftë edhe një provë të vetme që t’i bindë qytetarët. Kur një brez i tërë të rinjsh del në shesh, akuza për agjentura nuk është argument, është frikë.

Edhe prokuroria e gjykata kanë pasur duart e lidhura: heshtën, nuk hetuan, nuk vepruan. Policia që dikur drejtohej nga i përzgjedhuri i Ramës, Saimir Tahiri dhe që sakrifikoi Sandër Lleshin, duket se i ka futur duart në thes. Bela që u bë bela jo vetëm për Ramën, por për të gjithë shqiptarët, thuhet se drejtorin e sotëm të Policisë e solli ajo, ashtu siç thuhet se shtyllën kryesore të qeverisë, Financat, i drejton po ajo.

Si autor i emisionit “Vetting”, po sjell në vëmendje disa nga shkeljet që ky emision i ka denoncuar me fakte e prova, por që prokuroria dhe SPAK ose i injoruan, ose ecën me hapin e breshkës. Sot ata janë kapur gafil nga kjo lëvizje popullore që duket se u ka ardhur thika në palcë.

“Vetting” hetoi me dhjetëra koncesione, PPP dhe tenderë të dhëna me firmën e Ballukut dhe bekimin e Ramës, disa prej të cilëve sot janë nën hetim penal. Ishim ne të parët që denoncuam tunelin e Llogarasë rreth 200 milionë euro aferë, ku Balluku është e pandehur, gjykata i vendosi masë sigurie në nëntor 2025, ndërsa në qershor 2026 SPAK njoftoi sekuestrimin e pasurive të saj.

Në shëndetësi, sterilizimi, “Check-Up”, laboratorët dhe hemodializa u bënë simbol i PPP-ve të dyshimta. Në rrugë, lotet 4 deri 7 të Unazës së Madhe, vetëm Loti 4 me fond rreth 2.1 miliardë lekë, janë pjesë e hetimit të SPAK ndaj Ballukut. Rruga e Arbrit, Milot-Balldren dhe Thumane-Kashar kanë krijuar detyrime shumëvjeçare që KLSH i gjen në rritje të vazhdueshme.

Krahas tyre qëndrojnë dosjet e krimit dhe politikës, Tahiri dhe grupi Habilaj, “Dosja 339”, “Dosja 184” e Dibrës, përgjimet e BILD për shitblerje votash. Skandalet ndërkombëtare si CEZ-DIA, Becchetti, McGonigal, Aeroporti i Vlorës dhe “Air Albania”. Rrjedhja e të dhënave të “patronazhistëve”, rindërtimi pas tërmetit, blerjet emergjente në pandemi, shembja e Teatrit Kombëtar, pronat publike me qira një euro, Termocentrali i Vlorës që nuk prodhoi energjinë e premtuar. Dhe pak kompani që fitojnë përsëri e përsëri tenderat më të mëdhenj, siç konfirmoi SPAK në qershor 2026 me 16 të pandehur për ARRSH dhe Bashkinë Kolonjë.

Bilanci është i qartë.

Vetëm në 2024, pagesat për kontratat PPP dhe koncesionare arritën rreth 13.29 miliardë lekë, detyrime që nuk pasqyrohen plotësisht si borxh publik. Asnjë nga këto raste, vetëm pse përmendet këtu, nuk përbën korrupsion të provuar ligjërisht. Por të gjitha së bashku vizatojnë hartën më të plotë të asaj që ndodhi me paratë publike në trembëdhjetë vite qeverisje Rama. Dhe sot kur rruga flet më fort se institucionet, pyetja është një:

Sa duhet të digjet ende vendi që Rama të kuptojë se asnjë Belindë nuk vlen më shumë se Shqipëria?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb