Një nga futbollistët e Kombëtares shqiptare që është përballur me Anglinë është edhe Skënder Gega. Ai dallonte si një nga lojtarët më të fortë fizikisht, ku përplasja me të duhej të llogaritej mirë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri kampion me Partizanin në 2019- ën flet për kujtimet e përballjes ndaj “Tre Luanëve”, si dhe gjendjen e Kombëtares shqiptare sot.

Profesor, çfarë përshtypjeje ju ka lënë ndeshja ndaj Anglisë në 1989-ën para 32 vitesh?

Për kohën që ishte, për situatën kur jetonim, nga çfarë rrethanash vinim ne dhe sa ishte hapësira për të parë matanë kufijve, ishte një ëndërr e madhe për ne të luanim kundër Anglisë. Unë kam pasur fatin dhe privilegjin të isha pjesë e Kombëtares dhe të luaja në atë ndeshje. Përqendrimi ishte i madh, sepse të shkoje nga Shqipëria në Londër ishte ëndërr, ndërsa tani Tirana është bërë aq e madhe, sa ti ke mundësi të shohësh shumë gjëra.

Po ndjesia e të luajturit në “Uembli” atë kohë si ishte?

Unë e kam dëgjuar vazhdimisht. “Uembli” është histori, ndoshta edhe Krojfi nuk ka pasur rastin për të luajtur aty. Por, unë personalisht, ndonjë ndjesi të madhe nuk kam pasur. Ishte i frikshëm në pjesën e hapësirës. Ne vinim nga një vend i mbyllur dhe i errët, kështu që nuk kishim përjetuar atë atmosferë. E mbaj mend që ishte spektakolare.

A kujtoni ndonjë moment pikant nga ajo transfertë?

Ishte kalvar i gjatë për të shkuar në Angli. Duhet të kaloje shumë teste, pasi nga lojtarët që luanin në kampionatin shqiptar, dëshironin që të vinin të gjithë. Duhet të kishe një performancë të mirë me klubin, që ta fitoje një vend për atë ndeshje. Gjatë rrugës, kishte edhe që kishin ngelur, Ben Minga nuk erdhi në atë periudhë edhe pse ishte kapiten, nuk po kalonte një moment të mirë dhe u vendos të mos vinte. Janë gjëra që mbahen mend, për të ikur aty pastaj, si shqiptarët, me transit pa fund, me ato veshjet tona modeste. Megjithatë, ishim me fat, gjithë ai brez që luanim atë kohë.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb