Përjashtohet nga policia shefi Stacionit Policor në Fushë-Arrëz. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se Izmir Duraku i dyshuar dhe akuzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë është përjashtuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Urdhri ka ardhur menjëherë pas denoncimit nga një vajzë dhe para arrestimit nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Sipas SHÇBA, ngjarja është kallëzuar së fundmi nga një vajzë dhe dyshohet se ka ndodhur në vitin 2015.

Shefi i Postës së Policisë në Fushë-Arrëz Izmir Duraku është ndaluar mbrëmjen e kaluar, pasi akuzohet se ka përdhunuar një vajzë brenda komisariatit.

Sipas SHÇBA, bazuar në provat e mbledhura, ka dyshime të forta se në muajin prill 2015, ajo është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në DVP Shkodër. Shtetasja kishte shkuar për të denoncuar per përdhunimin që i kishin bërë disa persona ne 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës ne Shkodër.

SHÇBA ndaloi I.D., me detyrë aktuale Shef i Postës se Policisë në Fushë Arrëz, në DVP Shkodër, i dyshuar për veprën penale “Marredhënie seksuale me dhunë me të rritura”.

Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për hetime të metejshme.

Ndërkohë autoritetet shtetërore dhe organizata jo fitimprurëse kanë marrë në mbrojtje shtetasen duke e strehuar dhe duke u perkujdesur, në një Qendër Sociale.

Duke përfituar nga ky komunikim publik, SHÇBA i bën thirrje çdokujt që është dhunuar apo ndihet nën presion, të denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit apo Prokurorisë, si dhe pranë SHÇBA nëse evidentojnë shkelje të punonjësve të Policisë, në numrin 0800 90 90, duke garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb