Një gjyq për përdhunim në Mbretërinë e Bashkuar është ndërprerë pasi u zbulua se gruaja që kishte denoncuar sulmin seksual përdori një chatbot me inteligjencë artificiale për t’u përgatitur për marrjen në pyetje në gjykatë.
Sipas Daily Mail, gruaja, e identifikuar në dokumentet gjyqësore si “C”, pretendon se ish-partneri i saj, i identifikuar si “R”, kryeu marrëdhënie seksuale me të në një kohë kur ajo ndodhej nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, duke mos qenë në gjendje të jepte pëlqimin. Çifti kishte qenë në një lidhje që kishte përfunduar vetëm disa javë para incidentit të denoncuar.
Çështja po shqyrtohej në Gjykatën e Kurorës në Lewes, por procesi u ndërpre pasi ankuesja pranoi se kishte përdorur një mjet të inteligjencës artificiale përpara se të dëshmonte.
Nga regjistrat e bisedave rezultoi se ajo i kishte kërkuar chatbot-it këshilla se si të paraqiste rrëfimin e saj për ngjarjet e natës, si edhe informacione mbi pëlqimin, aftësinë për të dhënë pëlqim, provat fizike dhe mënyrën se si sjellja e saj pas incidentit mund të interpretohej.
Mbrojtja argumentoi se, pas përdorimit të inteligjencës artificiale, ishte e pamundur të përcaktohej nëse dëshmia e saj ishte ndikuar nga përgjigjet e chatbot-it, duke vënë në dyshim zhvillimin e një gjykimi të drejtë.
Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit e Mbretërisë së Bashkuar theksoi se përdorimi i inteligjencës artificiale për të përgatitur një deklaratë mund të përbëjë një formë të papranueshme të udhëzimit të dëshmitarëve. Sipas gjykatës, të gjithë dëshmitarët, si të akuzës ashtu edhe të mbrojtjes, duhet të shmangin përdorimin e mjeteve të AI për përgatitjen e dëshmive të tyre.
Gjykata paralajmëroi se edhe një dëshmitar i ndershëm mund të ndryshojë pa vetëdije mënyrën se si kujton ose përshkruan ngjarjet pas ndërveprimit me një sistem të inteligjencës artificiale, ndërsa një dëshmitar i pandershëm mund ta përdorë atë për të përmirësuar ose përshtatur versionin e tij të ngjarjeve.
Pas këtyre zhvillimeve, Gjykata e Apelit vendosi që çështja të rigjykohet sa më shpejt të jetë e mundur.
