Një zjarr i rënë në fshatin Hekal të Mallakastrës ka përfshirë një sipërfaqe prej disa hektarësh me shkurre dhe ullinj, duke mobilizuar forcat zjarrfikëse dhe ndërhyrjen nga ajri për shkak të rrezikut që i kanosej Parkut Arkeologjik të Bylisit.

Fillimisht, vatra e zjarrit u vu nën kontroll nga efektivët e shërbimit zjarrfikës të Ballshit, por era e fortë bëri që rreth mesditës zjarri të riaktivizohej dhe të përhapej sërish.

Në operacion u angazhuan zjarrfikësit e Mallakastrës, të mbështetur nga repartet zjarrfikëse të Fierit. Për shkak të afërsisë së flakëve me territorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, ndërhyrja u krye edhe nga ajri për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt zonës së mbrojtur.

Pas disa orësh pune, zjarri është shuar, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë territorin për të parandaluar riaktivizimin e mundshëm të vatrave, pasi era e fortë mbetet një faktor rreziku, veçanërisht gjatë orëve të natës.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: