Më shumë se 550 ekspozues nga mbi 30 vende prezantuan verërat, pijet e distiluara dhe produktet e tyre gastronomike në panairin e Beogradit. Takimet e biznesit dhe vlerësimet ndërkombëtare bashkuan prodhuesit, ekspertët dhe publikun nga Serbia, rajoni dhe bota.
Beograd, 12 tetor 2026. – Përfundoi edicioni i pestë i Wine Vision by Open Balkan, panairit ndërkombëtar të verës, ushqimit, rakisë dhe turizmit, i cili u mbajt nga 10 deri më 12 tetor në panairin e Beogradit. Nën moton „Një vend. E gjithë bota“, panairi mblodhi prodhues, distributorë, blerës profesionistë, ekspertë dhe vizitorë nga Serbia, rajoni dhe vende të shumta të botës.
Në panair u prezantuan më shumë se 550 ekspozues nga mbi 30 vende. Edhe këtë vit, Wine Vision by Open Balkan konfirmoi rolin e tij si një platformë e rëndësishme rajonale për lidhjen e prodhuesve të verërave dhe pijeve alkoolike të forta me tregjet ndërkombëtare. Në panair u organizua pjesëmarrja e më shumë se 3.000 profesionistëve nga sektori i tregtisë dhe i hotelerisë e gastronomisë, ndër të cilët 275 blerës profesionistë nga 48 vende, dhe gjatë manifestimit u zhvilluan disa mijëra takime biznesi B2B, si në zonën e posaçme të organizuar për takime B2B, ashtu edhe në stendat e ekspozuesve.
Në organizimin e edicionit të pestë të panairit Wine Vision by Open Balkan morën pjesë më shumë se 50 somelierë, të cilët u kujdesën për zhvillimin profesional të garave, Masterklasave dhe të gjitha aktiviteteve prapa skenës, me mbështetjen e ekipeve të shumta të produksionit. Vetëm gjatë vlerësimit në garën Open Balkan Wine Trophy, në duart e tyre kaluan më shumë se 3.500 shishe verë.

Verërat e vlerësuara me çmime nga rajoni
Në Open Balkan Wine Trophy u paraqitën më shumë se 800 mostra, ndërsa trofetë u ndanë në nëntë kategori. Për cilësinë e verërave vendosi një juri prej 25 ekspertësh nga vende të ndryshme, ndër të cilët ishin gjashtë mbajtës të titullit Master of Wine dhe një Master Sommelier.
Ndër fituesit e trofeve kombëtare janë Kantina Fani nga Shqipëria, Kantina familjare Peshkov nga Maqedonia e Veriut dhe Xhurxheviça Legat nga Serbia. Trofetë në kategoritë sipas stileve dhe varieteteve të rrushit u fituan nga kantinat e verës Aleksiç, Zvonko Bogdan, La Gora, Joviç, Arianiti, Tarposh, Chateau Kamnik, Bikicki dhe Kosoviç.
Kryesimin e jurisë e kishte Caroline Gilby MW, eksperte ndërkombëtare e verërave të Ballkanit, Evropës Qendrore dhe Evropës Juglindore. Ndër anëtarët e jurisë ishin Rod Smith MW, kryetar i Institutit Masters of Wine; Peter Mozer, ish-redaktor i revistës austriake Falstaff; dhe Bet Vilard, njëra nga bashkëkryesueset e garës Decanter World Wine Awards.

Rakitë e Serbisë dhe të rajonit
Në garën Rakija Trophy morën pjesë më shumë se 60 prodhues nga Serbia dhe rajoni, me rreth 130 mostra. Juria ndërkombëtare, e përbërë nga 15 anëtarë, punoi në tri panele dhe përbëhej nga shtatë vlerësues ndërkombëtarë dhe tetë vlerësues vendas. Trofetë u fituan nga distileritë Kamnik, Zariç, Cherry Hill, Hubert, Emperus dhe RB Global, si dhe nga kantina e verës dhe vreshtat Botunjac.
Drejtori i Spirits Selection by Concours Mondial de Bruxelles, Ulrich Nice, theksoi rritjen e interesimit ndërkombëtar për rakinë dhe përparimin e prodhuesve vendas. Aleksandar Janjiç, drejtor i Shoqatës së prodhuesëve të rakisë, vlerësoi se cilësia, përvoja dhe përkushtimi i prodhuesve janë faktorët kryesorë për forcimin e pozicionimit të rakisë në tregun ndërkombëtar.

Food Vision: gastronomia dhe turizmi
Food Vision, segmenti gastronomik i panairit, prezantoi prodhuesit e ushqimit, restorantet, hotelet dhe profesionistët e sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë.
Gara e kuzhinierëve të rinj dhe e ekipeve kulinare, Open Balkan Culinary Challenge, si dhe segmenti ekspozues kushtuar industrisë ushqimore dhe pajisjeve profesionale për gastronomi, i udhëhequr nga kompania METRO Cash & Carry, partneri shumëvjeçar gastronomik i këtij manifestimi, u shoqëruan me shumë Masterklasa, demonstrime kulinare, si dhe me programin artistik me karakter humanitar, Gastro Teatar.
Beogradi, gjatë zhvillimit të manifestimit Food Vision 2026, ishte mikpritës i gjysmëfinales së Evropës Jugore të konkursit Global Chefs Challenge.
Në program morën pjesë edhe mysafirë ndërkombëtarë, ndër të cilët shefi suedez i kuzhinës Džimi Ereikson , fitues i një çmimi special në konkursin Bocuse d’Or 2023, dhe Darren Liu, shef kuzhine dhe pronar i restorantit londinez Nanyang Blossom.
Programi profesional dhe takimet ndërkombëtare
Programi profesional përfshiu 17 Masterklasa kushtuar verës dhe rakisë, me 22 ligjërues nga 14 vende. Temat trajtuan çështje që nga jetëgjatësia e vreshtave dhe fermentimi, deri te varietetet autoktone, rajonet e verërave dhe ndryshimet në tregjet globale dhe lokale. Ndër ligjëruesit ishin Džejms Suckling, Marco Simonit, Caroline Gilby MW, Rod Smith MW dhe ekspertë të tjerë ndërkombëtarë.
Programi Masterklas mblodhi më shumë se 800 dashamirës të verës dhe profesionistë të fushës, ndërsa në kuadër të programit shoqërues gastronomik u organizuan 9 Masterklas, të cilat u ndoqën nga rreth 2.000 vizitorë.
Gjatë tri ditëve intensive të panairit u degustuan verëra dhe raki të panumërta, u prezantuan specialitete gastronomike, u krijuan partneritete të reja biznesi dhe u nënshkruan kontrata të shumta. Edicioni i pestë i Wine Vision by Open Balkan konfirmoi edhe një herë rëndësinë e panairit si një pikëtakim për sektorët e verës,skenën e distilimit dhe gastronomisë, për shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Edicioni i pestë i Wine Vision by Open Balkan u zhvillua nën moton „Një vend. E gjithë bota.“ Organizatorët shprehën mirënjohjen e tyre për ekspozuesit, blerësit, ekspertët, partnerët, mediat dhe vizitorët që morën pjesë në manifestimin e këtij viti. Panairi i ardhshëm Wine Vision 2027 do të organizohet nga 9 deri më 11 tetor 2027.
