TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda përfundon hetimin për vrasësin me pagesë, Julian Sinanaj. Ky vendim është marrë dje, pas 55 seancash gjyqësore. Sinanaj u arrestua në Tiranë, në janar të vitit 2014, gjatë kohës kur ai ishte duke planifikuar ekzekutimin e një biznesmeni, që sipas hetimeve të prokurorisë, porosinë për vrasjen e tij e kishte marrë nga Ilir Karcini, i prangosur si anëtar i bandës së “vrasësve me pagesë”.

Ndërkohë, së bashku me Sinanajn dhe Karcinin të arrestuar janë edhe 6 persona të tjetër, ndërsa është gjykuar në mungesë Genis Mëhillaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si anëtar i kësaj bande. Ndërkohë, mësohet se më 7 prill, pritet që prokuroria të lexojë edhe konkluzionet përfundimtare për të ashtuquajturën “banda e tritolit”, si dhe vitet e burgimit për secilin nga personat e këtij grupi kriminal.

Personat e arrestuar të këtij grupi akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale si vrasje, trafik armësh e tritoli, si grup i strukturuar kriminal. Ndërkohë, sipas prokurorisë, Julian Sinanaj ka marrë disa porosi nga të pandehurit Andon dhe Genis Mehillaj, Marion Mitro dhe biznesmeni Ilir Karçini për të eliminuar disa persona, duke bashkëpunuar me Albin Mexhajn dhe Ndriçim Gjokonën.

Gjithashtu, ky grup kriminal akuzohet edhe për tritolin ndaj ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhe atë ndaj banesës së Ardian Kollozit, ish-deputetit të po këtij qarku. Kryesisht, nga hetimet ka rezultuar se Sinanaj ka kryer disa vrasje në qytetin e Vlorës dhe se ka marrë porosi për të ekzekutuar biznesmenin e gazit, Piro Bare. Gjatë seancave gjyqësore, Julian Sinanaj ka mundur të mohojë disa nga ngjarjet për të cilat ai akuzohet, krime këto të cilat i ka pranuar më herët gjatë hetimeve.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb