TIRANE

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, të cilit iu hoq mandati për shkelje të ligjit të dekriminalizimit, pasi fshehu një rekord kriminal në Greqi, ndërsa aktualisht ndodhet në arrati.

Zyrtarisht mbi supet e Kajmakut, rëndojnë akuzat e falsikimit të vulave, falsifikimit të dokumentave, si edhe kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij.

Ai akuzohet se pasi KQZ i hoqi mandatin, shkarkoi nga detyra dy zëvendëskryetarët e Bashkisë dhe emëroi dy të rinjtë.

Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb