*Pritet marrja e tabulateve telefonike të Frrokut e Skënderit-

TIRANE-E ndërsa hetimet janë në kulmin e tyre, që në orët e para të mëngjesit të sotëm “atentatori” i penduar Durim Bami është ballafaquar me deputetin Tom Doshi para prokurorëve të Krimeve të Rënda. Për rreth 9 orë me radhë Doshi dhe Bami janë përballur me njeri-tjetrin për akuzat mbi vrasjen e dy deputetëve. I pari që ka lënë Prokurorinë ka qenë Bami, rreth orës 17:40. Pak minuta më pas ka dalë edhe avokati i tij, Ilir Murati, i cili me gjithë interesin e madh të mediave nuk ka pranuar të prononcohet në lidhje me dëshminë e sotme dhe përballjen e klientit të tij me deputetin Doshi. “U bë ballafaqimi por sipas ligjit nuk na lejohet të nxjerrim sekrete hetimore”, tha Murati.

Duket së urdhrit të Prokurorisë i është bindur edhe deputeti Tom Doshi, i cili është larguar rreth orë 18:10, pa thënë asnjë deklaratë pas përballjes prej rreth 9 orësh me Durim Bamin. (foto, Doshi duke u larguar nga Prokuroria)

Doshi iken

Deputeti Tom Doshi mbërriti rreth orës 09:00 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për tu ballafaquar për të dytën herë me Durim Bamin, pas asaj të një dite më parë, që ka zgjatur rreth dy orë e gjysmë. Sipas të afërmve të Doshit, ai ka depozituar në organin e akuzës të tjera prova dhe materiale për të provuar akuzat e tij.

Dje, grupi hetimor nuk ka mundur ta përfundojë seancën e ballafaqimit mes tyre, ndaj për këtë shkak Tom Doshi e Bami do të vendosen sot përballë njëri-tjetrit në të njëjtën tavolinë.

Në fakt, Tom Doshi i ka qëndruar besnik denoncimit të bërë prej tij, duke këmbëngulur se ka pasur një komplot për vrasje. Madje, burime të besuara pranë tij konfirmojnë se kurrsesi Doshi nuk do të tërhiqet nga denoncimi i bërë prej tij, edhe pse gjatë përballjes së parë me mikun e tij, deputetin Mark Frroku, ai “dështoi”. Kjo, pasi Mark Frroku e mohoi kategorikisht të ishte ai njeriu që e kishte informuar Doshin për një skenar të mundshëm për vrasje. Frroku mohon gjithashtu të ketë prezantuar Durim Bamin me Tom Doshin, në një kohë që ky i fundit këmbëngul që është Mark Frroku, ai që e vuri në dijeni të komplotit për vrasjen e tij.

Dje për më shumë se tetë orë, Durim Bami qëndroi përballë prokurorëve të Krimeve të Rënda, duke u rrëfyer për çështjen “Doshi”. Bami, një personazh fort i njohur për policinë, për shkak të precedentëve të mëparshëm kriminalë, është ruajtur nën masa të rrepta sigurie, madje ai edhe gjatë marrjes në pyetje ka mbajtur veshur antiplumb, pasi policia është kujdesur për të shmangur çdo rrezik për jetën e tij. Përkundër sa shfaqet në një video 37-minutëshe, ku i tregon deputetit Tom Doshi se kishte marrë një porosi për vrasjen e tij dhe të demokratit Mhill Fufi, përpara prokurorëve, ai ka mohuar gjithçka. Durim Bami, i dyshuar për akuzën e vrasjes së funksionarëve publikë mbetur në tentativë, sipas burimeve pranë pro-kurorisë, është shprehur se e gjithë ngjarja është një sajesë dhe se nuk ka pasur asnjë komplot të mundshëm për vrasjen e dy deputetëve. Durim Bami është personazhi kyç në tërë këtë histori, që ditët e fundit ka trazuar mbarë politikën shqiptare dhe dërgoi përpara prokurorisë krerët më të lartë të shtetit, pasi sipas Tom Doshit, porositësi i vrasjes së tij ishte vetë kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Por, ndërsa çështja “Doshi” konsiderohet një “patate e nxehtë”, Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se ka pak gjasa të vërtetojë pretendimet e palëve, pasi e vetmja “provë” janë ballafaqimet mes personazheve të përfshirë dhe të implikuar, çka në fakt vë në diskutim vërtetësinë e konkluzioneve në të cilat arrihet në përfundim. E vetmja provë e “saktë” për grupin hetimor duket se do të jenë tabulatet telefonike të Doshit, Mark Frrokut, Durim Bamit e Fation Skënderit, ky i fundit i cilësuar nga deputeti si ndërmjetësues në vrasjen e tij. Prokuroria përmes tyre do të konfirmojë nëse këta persona kanë pasur kontakte direkte me njëri-tjetrin dhe vetëm në këtë mënyrë do të provohen pretendimet e Mark Frrokut, i cili këmbëngul se nuk ka njohje me Bamin. Gjithashtu, pamjet filmike të disa ambienteve në Tiranë janë një tjetër provë që po analizohet nga grupi hetimor i dosjes që ka tronditur politikën shqiptare, pavarësisht nëse do të rezultojë si inskenim apo një ngjarje e frikshme kriminale.

(m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: