Tirana është gati për të mirëpritur rreth 3000 vrapues nga 43 vende të ndryshme të botës, të cilët do të marrin pjesë në edicionin e 7-të Maratonës në 22 Tetor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët e Maratonës dhe vullnetarët, për të koordinuar detajet e fundit për mbarëvajtjen e eventit sportiv. Ai deklaroi se Maratona e Tiranës, ashtu si çdo vit, do të jetë një festë sportive, jo vetëm për garuesit, por edhe për qytetarët e Tiranës, sidomos këtë herë që Tirana mban titullin “Qyteti Europian i Sportit 2023”.

“Kemi patur disa edicione fantastike, por steka rritet çdo vit. Tani na duhet një performancë jashtëzakonisht serioze, sidomos kur shoh që do të marrin pjesë vrapues nga 43 shtete të botës. Deri tani kemi 3 mijë regjistrime në total, me pjesëmarrës nga Shqipëria, Algjeria, Australia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnja, Kanadaja, Kroacia, Kolumbia etj. Do të kemi edhe nga miqtë tanë çekë, që ndoshta rikthehen për të kapur një medalje, pas humbjes në futboll. Do të kemi edhe vrapues nga Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Indonezia, Irlanda dhe Izraeli, të cilët do të vijnë pavarësisht situatës shumë kritike atje. Gjithashut kemi dashamirës të sportit nga Italia, Kenia, patjetër nga Kosova, Letonia, Lituania, Maqedonia, Mali i Zi, Vendet e Ulëta, Norvegjia etj. Pra, 600 nga 3 mijë pjesëmarrës, janë të huaj”, tha Veliaj.

Ai e vuri theksin te mbarëvajtja e Maratonës, me fokus te sinjalistika shpjeguese, e deri te mirëkuptimi nga ana e qytetarëve të Tiranës për bllokimin e disa rrugëve në kryeqytet. Veliaj shtoi se Maratona e Tiranës është një aktivitet që ka krijuar reputacion të mirë për Tiranën dhe kjo bën që qytetit t’i rritet më shumë vlera.

“I ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të përshëndesin vrapuesit, por nëse munden, le të shmangin daljet me makina. Sigurisht, mund të ketë ende nga ata cinikët, që thonë ‘ç’na duhet maratona ne’. Përgjigjja për secilin nga ata që e bën këtë pyetje është: Sa të vlen shtëpia sot? A vlen njësoj si para 7 vitesh? Një nga arsyet pse të rritet vlera e shtëpisë, është se këto aktivitete krijojnë më shumë reputacion për vendin tonë, dhe kur ndodhin pa incidente, vendi ngrihet gjithmonë e më lart, edhe në qytet gjithnjë e më shumë ka vlerë prona, ka vlerë ekonomia”, nënvizoi Veliaj.

Ai dha disa detaje për çmimet që do jepen këtë vit, ndërsa tha se garës së Maratonës së Tiranës, do i paraprijë, si çdo vit, gara “Fun Run”, ku vrapohet për qejf dhe pjesëmarrës janë të rinjtë e qytetit.

“Këtë vit kemi një çmim goxha të lartë: Vendi i parë do të marrë 5 mijë euro, vendi i dytë 3 mijë euro dhe vendi i tretë 2 mijë euro, njësoj si për femra, edhe për meshkuj. Kjo është një nga arsyet pse tërheqim shumë ekipe, që vijnë nga vende të ndryshme, që janë profesionistë dhe synojnë të marrim premion ose të thyejnë rekordet e tyre personale ose kombëtare. Një ditë përpara do të realizojmë garën ‘Fun Run’, një garë për të gjithë, sepse inkurajimi që i kemi bërë këtë vit klasave sportive, me shumë prej palestrave që i kemi vënë në dispozicion të shoqatave sportive, – siç është një histori suksesi pista e atletikës te Parku i Liqenit, – ka sjellë një numër rekord të regjistrimit të fëmijëve në shoqatat sportive. Duam shumë që ta inkurajojmë këtë frymë, ndaj për çunat edhe gocat e Tiranës, që ndoshta nuk e bëjnë dot vrapin profesionist, mund të marrin pjesë në garën ‘Fun Run’. Deri tani kemi regjistruar 2 mijë të rinj, nga shumica e shkollave të Tiranës, dhe besoj që do të jetë një kartolinë e bukur për t’i paraprirë maratonës së madhe në datë 22 Tetor”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku bëri me dije se do ketë devijim të disa linjave të urbaneve në Tiranë, gjë për të cilën kërkoi mirëkuptim nga qytetarët, ndërsa tha se në ditët në vijim do bëhet me dije për cilat linja bëhet fjalë dhe sa do zgjasë bllokimi dhe devijimi. Në fund, Veliaj veçoi vullnetarët, të cilëve u shprehu mirënjohje të veçantë për gatishmërinë dhe suportin që japin çdo vit, në mënyrë që i gjithë organizimi i kësaj Maratone të shkojë sa më mirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb