Drejtorë shkollash, mësues e punonjës të administratës në  Dibër janë të përfshirë në bisedat telefonike të përgjuara e të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”. Shumëkush disa prej emrave i dëgjojmë për herë të parë. Po kush janë këta persona që sipas bisedave rezultojnë se janë marrë me blerjen e votave në Bashkinë e Dibrës në vitin 2016 përmes një skeme të qartë, që intimidonin apo shantazhonin votuesit. Ku janë ata sot?

Bekim Krashi i cili dëgjohej teksa komunikonte me ministrin Damian Gjiknuri është biznesmen në fushën e ndërtimit. Prej vitit 2016 por edhe aktualisht ai mban postin e drejtorit të OSHEE në Dibër.

Arben Keshi, një prej personave që dëgjohen në pjesën më të madhe të bisedave të përgjuara, në vitin 2011ka qenë kandidat i Partisë Socialiste për Komunën e Maqellarës, ndërsa në 2013 ka qenë i katërti në listën e PS për deputet i Qarkut Dibër. Gjate 2016-s, Arben Keshi mbante postin e drejtorit të qendrës së Mbyllur për të Huajt e parregullt në Shqipëri.

Një vit pas zgjedhjeve vendore për Bashkinë Dibër, në 2017 Arben Keshi u emërua shef i komisariatit të Bulqizës, ndërsa aktualisht punon pranë sektorit të krimit ekonomik në Policinë e Dibrës.

Drini Gjeçi në vitin 2016, kohe kur u zhvilluan zgjedhjet vendore në Dibër, mbante postin e Drejtorit te Drejtorisë Rajonale Arsimore në Bashkinë Dibër. Në përgjime ai dëgjohet teksa kërcënon mësuesit me vendin e punës kur iu kërkon votën për kandidatin Muharrem Rama. Aktualisht Drini Gjeçi mban postin e nen drejtorit te gjimnazit Said Najdeni në Peshkopi.

Reshat Elezaj emri i të cilit përmendet nga deputeti socialist Pjerin Ndreu ka qenë mësues dhe më pas në vitin 2017 drejtor i shkollës Reç. Ne përgjime Ndreu i kërkonte atij të deklaronte votën hapur ndryshe do të “fluturonte” nga vendi i punës. Elezaj u shkarkua një vit më parë dhe u zhvendos në Tirane ku banon aktualisht.

Në përgjimin numër 13-të, drejtori i Arsimit në Dibër Drini Gjeçi telefonon mësuesin Lavdrim Murati dhe i kërkon llogari për nuk ka votuar, ndërsa i kërkon që të votojë hapur së bashku me familjen. Murati mbante postin e mësuesit në shkollën Reç të cilin vijon ta mbajë edhe sot.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb