Nga: IV KALOÇI*
TIRANE – Sot ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plota disa nga relacionet sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e veçanërisht Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos, lidhur me çështjen e përgjimit dhe survejimit që organet e MPB-së u bënin ambasadave dhe konsullatave të huaja në Tiranë, për sa u përket pikëpamjeve dhe qëndrimeve të tyre ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. Përgjimi i ambasadave dhe legatave të huaja në Shqipëri, qofshin këto perëndimore ose lindore, do të niste direkt pas mbarimit të luftës dhe marrjes së pushtetit nga forcat komuniste të Enver Hoxhës. Të parat legata që do të përgjoheshin dhe do të survejoheshin vazhdimisht do të ishin ato të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe UNRRA-s në vitet 1945-1946. Më pas kjo do të vijonte me ambasadën jugosllave, sidomos pas vitit 1953 (vit në të cilin do të rilidheshin marrëdhëniet diplomatike), do të pasonte me ato italiane, franceze, dhe për ta përfunduar me ambasadat greke dhe turke në vitet ’70-’80. Dokumentet dhe relacionet sekrete në fjalë do të përpiloheshin nga vetë drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Kadri Gojashi dhe Rexhep Kolli, në lidhje me bisedat sekrete të disa nga diplomatëve jugosllavë, francezë, rumunë dhe turq të akredituar në Tiranë. Instancat e Sigurimit të Shtetit, i trembeshin vazhdimisht një sulmi të mundshëm ushtarak frontal nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Traktatit të Varshavës pas pushtimit të Çekosllovakisë në vitin 1968, vit i cili do të shënonte edhe daljen përfundimtare të Shqipërisë nga blloku lindor, por edhe nga një ndërhyrje e SHBA-ve dhe e bllokut të NATO-s nga ana perëndimore për të rrëzuar regjimin e Tiranës. Këto raporte sekrete të vitit 1970, nuk tregojnë gjë tjetër veçse paranojën e zakonshme të Sigurimit të Shtetit për të survejuar vazhdimisht ambientet e këtyre ambasadave si dhe për të përgjuar deri në detaje edhe pjesët më të hollësishme dhe të parëndësishme të bisedave të zakonshme diplomatike që zhvilloheshin asokohe rëndom në përfaqësitë e huaja. Të shumta do të ishin edhe rastet e arrestimeve dhe dëbimeve të disa prej diplomatëve përfaqësues të atasheve ushtarake, tregtare dhe kulturore, të cilët, në mënyra nga më të ndryshmet (shpeshherë të inskenuara edhe nga vetë Sigurimi i Shtetit) me materiale dhe prova komprometuese për të cilat do të akuzoheshin për spiunazh dhe do të cilësoheshin “non grata”. Por të gjitha këto përgjime dhe survejime të godinave të ambasadave dhe bisedave të zakonshme të diplomatëve të huaj nga organet e MPB-së dhe Sigurimit të Shtetit, nuk do të tregonin gjë tjetër veçse kalbësinë dhe gjendjen paranojake të shtetit komunist shqiptar, që u frikësohej vazhdimisht reagimeve të ndryshme publike për gjendjen e mjerueshme ekonomike, për klimën e izolimit politik të Shqipërisë nga bota e jashtme si dhe për një ndërhyrje të mundshme ushtarake nga jashtë që do të çonte edhe në rrëzimin nga pushteti të Enver Hoxhës. Por një sulm i tillë ushtarak nuk erdhi kurrë.

“Kostiçi shprehet se e kupton plotësisht se çfarë thotë francezi dhe sugjeron se tani në verë është mirë të takohen në plazhin e Durrësit. Francezi e pëlqen këtë mendim, por thekson se ‘do takohemi rregullisht’.
Nga biseda e mësipërme dhe nga rast tjetër që kemi dëgjuar disa kohë më parë, lindin dyshime se Jovan Kostiçi, i cili ndiqet nga ana jonë si kuadër i Zbulimit jugosllav, duhet të jetë edhe në shërbim të zbulimit francez. Nisur nga kjo, në të ardhmen do të marrim masa për një përpunim më të organizuar, me qëllim që të shtien në dorë materialet në ngarkim të Jovan Kostiçit dhe të zbulojmë veprimtarinë e tij të përbashkët me francezët.”
ZV/KRYETARI I DEGES
SE DYTE KADRI GOJASHI
REPUBLIKA POPULLORE
E SHQIPERISE SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE
TE BRENDSHME Ekzem. Nr.3
DREJTORIA E PARE
Tiranë, më 3.7.1970
Nr. Prot. 2973
Ramizit për dijeni
LENDA: Mbi bisedat e diplomatit jugosllav, Jovan Kostiç me këshilltarin e ambasadës turke, Tansu Bleda.
SEKRETARIT TE
KOMITETIT QENDROR
SHOKUT HYSNI KAPO TIRANE
Nga të dhëna plotësisht të verifikueshme, rezulton se mbas fjalimit të shokut Enver në Tropojë, sekretari i dytë i legatës jugosllave, Jovan Kostiç, në bisedat me diplomatin turk, Tansu Bleda, ka trajtuar gjendjen e marrëdhënieve Jugosllavi-Shqipëri, qëllimet, rrugët dhe mjetet që ka përdorur dhe do të përdorë qeveria jugosllave për të arritur në një përmirësim të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Ndër bisedat më të rëndësishme është ajo që ata kanë zhvilluar më datë 1.6.1970, nga e cila doli:
Jovan Kostiçi theksoi nevojën e afrimit të Jugosllavisë me vendin tonë, për arsye se “Shqipëria është një vend ballkanik fqinj me Jugosllavinë dhe që është i vetmi vend që ka marrëdhënie të ngushta dhe një politikë të përbashkët me Kinën”. “Për këtë arsye, – thotë ai, – jemi përpjekur, sidomos që nga viti 1967-1968, që marrëdhëniet tona me Shqipërinë të zgjerohen dhe kemi disa rezultate, kryesisht në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare dhe kohët e fundit edhe në hapjen e pikave të reja tregtare.”
Jovan Kostiç: “Enver Hoxha foli mirë në Tropojë”.
Për të arritur qëllimet e afrimit, ne kemi përdorur forma të ndryshme. Si hap i parë është zgjerimi i marrëdhënieve tregtare, ndërsa tani mendojmë të bëhet hapi i dytë, prandaj jemi duke përgatitur propozimet tona konkrete për një konventë kulturore. Por, – vazhdon Kostiçi, – në këtë drejtim ekziston një çështje me rëndësi të madhe, pasi ne nuk duam që afrimi me Shqipërinë të ketë një karakter lokal, sepse në mes është Kosova. Pra ne nuk duam që marrëdhëniet tona kulturalo-shkencore të bazohen në bishtin Prishtinë-Tiranë, por të kenë karakter poli-jugosllav dhe jo thjesht Kosovë-Shqipëri”. “Ky është problemi më i rëndësishëm, – thotë ai, – sepse Enver Hoxha në fjalimin e tij në Tropojë, theksoi zgjerimin e marrëdhënieve kulturoro-shkencore me ne, por në mënyrë të veçantë ai argumentoi nga ana kombëtare nevojën e këtyre marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë, që në të vërtetë është një fakt i pamohueshëm, por ne e kemi të vështirë për ta zgjidhur”.
Megjithëkëtë, Kostiçi mendon se: “Ekzistojnë mundësitë që të krijohen kushte për zhvillimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve tona, por nuk dimë se si do të përgjigjen shqiptarët mbas fjalimit të kryetarit të tyre, sepse klauzolat tona për marrëdhënie kulturore, parashikojnë shtrirjen e tyre në nivel poli-jugosllav dhe me përmbajtje të thellë tekniko-shkencore-arsimore dhe jo ideologjike. Ne kemi kërkuar që tekstet që dërgohen në Kosovë, të mos kenë pjesë ideologjike në kundërshtim me ne, por këtë shqiptarët e quajnë diskriminim. Fjalimin e Kryetarit të Shqipërisë ne e çmojmë si një farë diskriminimi për marrëdhëniet tona kryesore, sepse thotë se kemi shkelur të drejtat në Kosovë. Sigurisht, qëllimi i këtyre fjalëve është të krijohet një opinion dhe të ushqehen mendime diskriminuese për ne”.
Në vazhdim të kësaj Kostiçi thotë se: “Në shumë raste gjatë zhvillimit të bisedave për çështje të ndryshme, Shqipëria është treguar e rezervuar, dhe nga ana tjetër, ngre disa gjëra sipas rastit, të cilat i shfrytëzon për të na diskriminuar. Këto i vështirësojnë marrëdhëniet tona dhe po të vepronim edhe ne kështu, do të shkonim duke thurur tërkuza. Kurse ne, në praktikën e afrimit kemi përdorur edhe shtypin, ku kemi shkruar mbi vendosjen dhe zhvillimin e turizmit, mbi këmbimin e delegacioneve në raste të caktuara, ndërsa shqiptarët nuk kanë shkruar në shtyp mbi këto gjëra”.
Këshilltari turk, Tansu Bleda, gjatë kësaj bisede vlerëson si të drejtë qëndrimin jugosllav dhe njëkohësisht ngriti dy çështje: “Çfarë duhet bërë me qëllim që shqiptarët të fitojnë cilësinë për të kundërshtuar Kinën dhe, ndoshta zhvillimi i marrëdhënieve tuaja me Shqipërinë, shkakton rreziqe për influencën ideologjike në Jugosllavi”. Kostiçi këtyre çështjeve u jep përgjigjen se “jugosllavët prandaj ndjekin rrugën e afrimit” dhe se “marrëdhëniet kulturalo-shkencore nuk do të kenë karakter ideologjik”.
MINISTRI I PUNEVE
TE BRENDSHME
KADRI HAZBIU
…………………………………………………………………………………………………….
REPUBLIKA POPULLORE
E SHQIPERISE Sekret
MINISTRIA E PUNEVE
TE BRENDSHME
Ekzemplar. Nr. 1
DREJTORIA E PARE
Tiranë, më 24.8.1970
Nr. 3847 Prot.
Lënda: Mbi bisedën e zhvilluar midis këshilltarit të ambasadës franceze, Jean Teste dhe sekretarit III rumun, George Moisuk
SEKRETARIT TE
KOMITETIT QENDROR
TE PARTISE P. SHQIPERISE
SHOKUT RAMIZ ALIA
Për dijeni, Sh. Hysni,
31.8.1970 TIRANE
Nga të dhëna plotësisht të verifikuara, rezulton se mbas vizitës së delegacionit të sindikatave të Rumanisë në vendin tonë, në bisedën që është zhvilluar më dt. 24.7.1970 midis këshilltarit të ambasadës franceze, Jean Test dhe sekretarit III të ambasadës rumune, Georgi Moisuk, është trajtuar çështja e marrëdhënieve shqiptaro-rumune dhe gjendja në vëndin tonë.
Në bisedën me të rumuni është shprehur:
“Shqiptarët donin që delegacioni ynë të mos paraqitej vetëm si delegacion sindikatash, por si një delegacion partie dhe qeveritar, sepse kjo do të kishte një rëndësi të madhe lidhur me marrëdhëniet në mes dy vendeve, por kryetari i delegacionit tonë u tha se ne nuk shohim asgjë të keqe në marrëdhëniet tona; si dy vende socialiste, marrëdhëniet i kemi pasur dhe i kemi miqësore.
Edhe në Pekin kur shkoi ky delegacion, kështu u paraqit: marrëdhëniet me Shqipërinë janë zor të mbahen të njëllojta. Shqiptarët, po të dëgjojnë se ne bëjmë bisedime me gjermanët, e quajnë këtë si jo të drejtë dhe fillojnë të largohen; kur shohin se ne zhvillojmë bisedime me Kinën, fillojnë të afrohen përsëri. Një qëndrim të tillë pothuajse mbajnë dhe jugosllavët”. Më poshtë rumuni vazhdoi:
“Duhet të kihet durim, të kesh kontakte të shumta me njerëzit, sidomos për informacionin, sepse ne jemi këtu për të ditur, për të mësuar se çfarë ndodh në këtë vend. Këtu është krejt ndryshe nga vendet e tjera. P.sh., unë po të isha në Francë, çështjet ekonomike dhe shoqërore nuk do të kisha vështirësi t’i mësoja, sepse qeveria franceze do të na i dërgonte me buletin ose në shtyp. Kurse këtu të vetmet burime ku mund të marrim diçka, janë kontaktet me të njohurit me përfaqësuesit e huaj. Njëri mëson diçka mbi ekonominë, tjetri diçka tjetër, dhe kështu ndihmohet. Këtu duhet të kërkosh vetë edhe gjërat më elementare dhe ajo që është më e keqja, që të çorienton, është se ndryshe jepen të dhënat nga qeveria, ndryshe nga Komiteti Qendror i Partisë dhe ndryshe nga shtypi. Nuk dimë cilët të marrim për bazë”.
Diplomati rumun Moisuk: “Shqipëria po shfrytëzon koniunkturat politike të rajonit”.
Mbas kësaj, George Moisuk flet mbi mbërritjen në Kinë të ambasadorit jugosllav dhe shton:
“Kjo çështje është shumë interesante; unë mendoj se kjo situatë mund të ketë krijuar ose mund të krijojë ndonjë kontradiktë midis Shqipërisë dhe Kinës, sepse kinezët duan përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, kurse shqiptarët nuk e duan këtë gjë. Mbase do të kenë vendosur bashkë që njëra palë të ecë përpara dhe tjetra të qëndrojë në vend. Edhe kur kinezët duan të bëjnë dy hapa përpara, janë shqiptarët ata që bëjnë pengesën”.
Në përgjigje të fjalëve të rumunit, francezi thotë:
“Marrëdhëniet e Kinës me Jugosllavinë nuk mund të jenë të koinçiduara nga dëshira e shqiptarëve. Kina nuk mund të mbajë marrëdhënie me Jugosllavinë dhe njëkohësisht të mbajë marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë, sepse Shqipëria ka problemet e saj në raport me pozitën gjeografike. Kina mund të bëjë një politikë tjetër me Jugosllavinë në raport me Moskën dhe Shqipëria nuk është e detyruar të ndjekë politikën e Kinës. Unë, nuk shoh ndonjë kontradiktë midis tyre: Shqipëria vazhdimisht ka deklaruar se do të mbrojë pavarësinë e saj, për këtë ajo duhet të bëjë një politikë të matur dhe të mirëkuptimit me të gjitha vendet ndërkufitare, kurse Kinës i duhet një politikë më e gjerë dhe më e përgjithshme. Kështu që, Kina s’mund ta diktojë dhe ta detyrojë Shqipërinë të zbatojë politikën kineze. Të dyja vendet kanë një strategji të përbashkët, ndërsa Shqipëria ndjek një taktikë tjetër, në përshtatje me pozitën e saj strategjike në Europë”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb