Pasi e kallëzoi me pretendimin se ka manipuluar provat gjatë hetimit, Arbër Çekaj, administratori i Arbi-Garden, porositësi i kontejnerit me banane ku u sekuestruan 613 kg kokainë, ka shpërthyer në akuza ndaj prokurorit të SPAK, Edvin Kondili.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se gjatë seancës së sotme gjyqësore, Çekaj akuzoi prokurorin se ka përhapur lajme të rreme, ku pretendohet se ai ka folur dhe ka bashkëpunuar me autoritetet ku ka nxjerrë emra të tjerë, duke vënë sipas tij në rrezik jetën e familjarëve.

“Prokurori përhapi lajme se unë kam folur dhe nxjerrë emra të tjerë, duke vënë në rrezik jetën e familjarëve të mi edhe të babait të moshuar. Unë s’do ta bëja këtë për familjen e prokurorit.”, tha para togave të zeza Çekaj.

Duke vijuar në këtë linjë, administratori i Arbi-Garden tha se prokurori e ka personale me familjen e tij, për shkak të mbiemrin dhe origjinës së tij nga Tropoja. “Unë jam në burg, se jam prej Tropojë. Se kam pas një mbiemër, (Kuliçaj) që si pëlqen prokurorit. Ai e ka personale me familjen time.”, tha ai. Madje biznesmeni nuk i kurseu akuzat, ndërsa shtoi se: “Nëse SPAK s’ka prokurorë të tjerë, propozoj një nga Serbia meqë tani kemi dhe marrëdhënie të mira”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit, i cili ishte i pranishëm në sallë, duke i sugjeruar të pandehurit që mos të kërcënojë. “Kërcënimet s’ti këshilloj, pasi s’më shqetësojnë”, tha prokurori.

Ndërkohë avokatët e tij kanë kërkuar pezullimin e gjykimit derisa KLP të shqyrtojë kërkesën per përjashtimin e Edvin Kondilit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 21 vite burg për biznesmenin Arbër Çekaj, i akuzuari për trafikimin e 613 kilogramëve kokaine që u gjet të fshehura në një kontejner me banane. Seanca gjyqësore është shtyrë për në datën 23 janar, ndërkohë është rrëzuar kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb