Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 88 të tjerë janë plagosur si pasojë e përplasjes së dy trenave në jug të Kajros, në Egjipt. Mes viktimave është edhe një nga drejtuesit e trenave, ndërsa bilanci i aksidentit mund të ndryshojë.

Përplasja ndodhi në linjën hekurudhore mes stacioneve Kafr Ammar dhe Al-Raqqa. Sipas autoriteteve hekurudhore, një tren që udhëtonte nga Giza drejt oazit Fayoum, rreth 100 kilometra në jug të Kajros, u përplas me pjesën e pasme të një treni tjetër, i cili po udhëtonte nga Kajro drejt Asuanit, në jug të vendit.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e rënda të aksidentit, me disa vagonë të dalë nga shinat dhe të përmbysur. Në njërën prej pamjeve shihet një vagon i shkatërruar plotësisht, i cili ka përfunduar sipër një vagoni tjetër në anë të shinave.

Ministria egjiptiane e Shëndetësisë bëri të ditur se në vendngjarje janë angazhuar 72 ambulanca, të cilat kanë transportuar të plagosurit drejt tre spitaleve të ndryshme. Ekipet e emergjencës po përdorin gjithashtu mjete të rënda për ndërhyrjen dhe largimin e vagonëve të dëmtuar.

Presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi, deklaroi se po e ndjek nga afër situatën dhe se ka urdhëruar autoritetet përkatëse të garantojnë kujdesin e nevojshëm mjekësor për të plagosurit. Ai kërkoi gjithashtu hetimin e plotë të rrethanave të aksidentit dhe vënien përpara përgjegjësisë të kujtdo që rezulton se ka neglizhuar detyrën.

Ndërkohë, kryeministri Mostafa Madbouly u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave, duke garantuar mbështetjen e nevojshme për ta. Ai uroi gjithashtu shërim të shpejtë për të plagosurit dhe deklaroi se do të ndjekë nga afër trajtimin e tyre mjekësor.

Shkaqet e përplasjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb