Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati i ftuar në studion e Neës24 në rubrikën ’Opinion’ ka folur në lidhje me përjashtimin e 4 deputetëve demokratë nga grupi parlamentar i PD-së ditën e djeshme, teksa tha se

Murati deklaroi se vendimi i Alibeajt ka treguar se lufta brenda PD-së është dhe më e fortë se ajo me PS-në dhe kryeministrin Rama, ndërsa shtoi se e konsideron atë si një akt qesharak si nga pikëpamja politike dhe ajo morale.

Sipas tij kreu i grupit parlamentar të PD, Alibeaj, e ka marrë këtë vendim pas një aksioni politik për mbledhjen e firmave për shkarkimin e tij nga Ervin Salianji, ndërsa i konsideroi këto veprimtari si papjekuri për shkak të gjendjes ku ndodhet opozita.

Sakaq, ai foli edhe për vjedhjen e banesës së ish-zyrtares së Kryeministrisë Alda Klosi nga pastruesja e saj, teksa tha se ngjarja duhet të hetohet në aspektin dyplanësh, pra veç autores së grabitjes duhet të ketë hetim edhe për origjinën e parave të marra.

“Vendimi i Alibeajt është mishërim i shprehjes se lufta brenda llojit është më e ashpër se ajo me llojin tjetër, kjo është luftë brenda dy PD-ve dhe është më e egër se ajo me Ramën dhe PS-në. Unë besoj se është një akt qesharak si nga pikëpamja politike dhe ajo morale  sepse bëhet fjalë për deputetë që kanë kaluar shumë beteja me Alibeajn në politikë. Nuk është hera e parë që përjashtohen deputetë por justifikimi i dhënë që nuk kanë dënuar dhunën e para një viti nuk mban shumë si argument politik. Nëse do ishin këta deputetë që do shkonin te selia do ishte gjë legjitime, por kjo është qesharake.

Alibeaj e ka ndërmarrë nga frika se është një aksion politik për mbledhjen e firmave për shkarkimin e tij. Në rastin më të mirë është papjekuri nga të dyja anët e PD-së që merren me këto çështje në këtë formë që ka opozita. Pak rëndësi ka nëse te PD formale janë 4 deputetë më shumë a më pak. Kemi ndarje përfundimtare mesa duket, e keqja është se këto 2 PD nuk janë të formalizuara në dy parti të ndryshme. Politikanë të caktuar po e mbajnë peng PD-në me vulën e selinë. Opozita nuk është në pozicion komod, pushteti është konsoliduar, ka resurse dhe punë që mund t’i propagandojë. Edhe pse duket sikur ka kohë deri më 14 maj opozita nuk është aty ku duhet në terren.

Unë kam dëgjuar që grabitja po hetohet, është një ngjarje sa tragjike edhe qesharake. Kemi të bëjmë me një vjedhje por më i dyshuar është viktima se sa autori i krimit. Kemi implikime të rëndësishme pasi pastruesja tha se gjithë shifrën e parave që kishte e ka marrë në shtëpinë e Alda Klosit. Ka nevojë për një hetim dyplanësh, për vjedhjen dhe për ish-zyrtaren që mbante shifrën e parave në shtëpi. Kjo mund të jetë pasojë e një vepre të dyshimtë, mund të jetë korrupsion, pastrim parash apo diçka tjetër. Qoftë zyrtarja fajtore apo jo duhet të ketë transparencë nga drejtësia, por ky aspekt ka mbetur në vend”, tha Murati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb