Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar në lidhje kërkesën e Ina Zhupës për kryetaren e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Flutura Açka, për mbledhjen e komisionit.

Kërkesa bazohet mbi situatën e krijuar nga publikimi në emisionin “Report” në Rai3, që nxiti reagime të shumta si në Shqipëri ashtu edhe në vendin fqinj.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali tha se Zhupa kërkon të kërkojë llogari në lidhje me shpifjet dhe gënjeshtrat që ajo përfaqëson.

Postimi i plotë:
Plani i ahengut për t’iu gëzuar sulmit mbi Shqipërinë në RAI3, pas mbështetjes së tij me municion nga rruga e humbur e Shpresës së të pashpresëve, qenka i shtrirë edhe përtej kërkesës për interpelancë urgjente me kryeministrin.
Zonja që ka qëndisur këtë çarçaf për komisionin e mediave, kërkon të na e vërë përpara në tabaka Shqipërinë e përbaltur nga ai emision italian i gatuar në Tiranë, për të na kërkuar hesap për gënjeshtrat dhe shpifjet e palës që ajo përfaqëson. E ndaj këtë me ju për t’ua lënë juve ta gjykoni se deri ku shkojnë këta kolegë pa dhe me vulë për të damkosur Shqipërinë që të helmojnë shqiptarët në kërkim të rrugës së humbur të saj e të kolegëve të saj që e kanë pagëzuar me emrin Shpresa. Ndërkohë mund t’u them se mund ta vazhdojnë pa ne, ushqimin e Shpresës së tyre me këtë histori të shëmtuar pabesie ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të cilët janë deri në fyt të mbytur me borxhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: