Përleshje të dhunshme shpërthyen në kryeqytetin e Bolivisë të hënën midis policisë dhe protestuesve që kërkonin dorëheqjen e presidentit të qendrës së djathtë të vendit, ndërsa trafiku në La Paz është paralizuar për dy javë nga bllokadat rrugore të ngritura në pjesë të ndryshme të qytetit.
Bllokimet rrugore e kanë ndarë praktikisht kryeqytetin nga pjesa tjetër e vendit, duke shkaktuar mungesa të karburantit, ushqimit dhe ilaçeve.
Vetëm gjashtë muaj pasi mori detyrën, Presidenti Rodrigo Paz po përballet me protesta nga fermerët, punëtorët, minatorët dhe mësuesit, të cilët po shprehin zemërim për krizën më të keqe ekonomike në Bolivi në katër dekada.
Një grup minatorësh u përpoqën të arrinin në sheshin Murijo, ku ndodhen pallati presidencial dhe parlamenti, por policia i zmbrapsi me gaz lotsjellës. Protestuesit hodhën kokteje Molotov dhe gurë drejt forcave të sigurisë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë raportuar për ndonjë të lënduar apo arrestim.
Mbështetësit e ish-presidentit socialist Evo Morales (2006-2019) mbërritën sot në kryeqytet pas një marshimi shtatëditor nga rajoni i Oruro-s, duke kërkuar largimin e Rodrigo Paz nga presidenca.
“Ne duam që ai të japë dorëheqjen sepse është i paaftë. Bolivia është në kaos”, tha për AFP-në Ivan Alarcón, një fermer 60-vjeçar.
