SHKODER- Një turist çek ka humbur jetën ditën e sotme në lumin Kir, në Shkodër. Së bashku me bashkëshorten e tij, turisti çek ishte duke bërë rafting me një varkë në lumë, por për shkak të rrymës, mjeti lundrues është përmbysur.

Fatmirësisht turistja ceke ka arritur t’i shpëtojë mbytjes, por nuk ka ndodhur kështu edhe me bashkëshortin e saj.

Ngjarja ka ndodhur ujërat e lumit Kir në Komunën Postribë, ndërsa polumbarët kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupit të turistit çek.

POLUMBARËT NDËRPRESIN KËRKIMET PËR SHKAK TË ERRËSIRËS, RIFILLOJNË NESËR
Polumbarët kanë ndërprerë kërkimet për gjetjen e trupit të turistit Çek për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës. Turisti çek Adam Baron 26 vjeç u mbyt në lumin Kir në Postribë, ndërsa polumbarët do të rinisin kërkimet për gjetjen e trupit nesër në mëngjes. Rrjedha e fuqishme e lumit ka vendosur në rrezik edhe jetën e polumbarëve.

OPERACION I VËSHTIRË PËR NXJERRJEN E TURISTIT ÇEK, RRYMA E LUMIT E KA SPOSTUAR TRUPIN POSHTË NJË SHKËMBI
Polumbarët vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të turistit çek, i cili u mbyt pak orë më parë në lumin Kir. Por për shkak të rrjedhë së fortë të ujit, është vështirësuar edhe operacioni për nxjerrjen e trupit të të riut.

Sipas polumbarëve dhe forcave RENEA të cilët kanë rrezikut jetën, rryma e lumit Kir e ka spostuar trupin e turistit poshtë një shkëmbi.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe policia e Shkodrës, duke njoftuar se turisti çek që u mbyt në lumin Kir, është i moshës rreth 22 vjeç. Ndërkaq, raportohet se në grupin e turistëve për rafting kanë qenë 10 veta.

Ndërkaq, turistët e tjerë çekë ndodhen në polici për deklarimet.

MBYTJA E TURISTIT ÇEK, JA RRËFIMI I NJË DËSHMITARI
Një banor i Komunës së Postribës ka qenë dëshmitar në momentin kur varka me të cilën lundronin turistët çekë është përmbysur në lumi Kir në Shkodër. Sipas dëshmitarit Haxhi Syla, turistët çekë erdhën në fshatin Postribë me një fuoristradë që prej paradites së sotme.

“Turistët cekë kanë qenë në grup, ishin 6 turistë. Ata erdhën paradite me një fuoristradë. Dëgjuam që kërkonin ndihmë, thërrisnin “policia”. Ndërsa me njëri-tjetrin komunikonin në gjuhën angleze”.

FSHR: KEQARDHJE PËR AKSIDENTIN E TURISTIKËVE ÇEKË, DISTANCOHEMI NGA ORGANIZIMI I AKTIVITETEVE RAFTIN PA LICENCË
Pas ngjarjes së ndodhur në lumin Kir në Shkodër ditën e sotme, ku një turist polak u mbyt, ndërsa bashkëshortja e tij arriti të shpëtonte, ka reaguar Federata Shqiptare e Rafting (FShR). Në një deklaratë për mediat, kjo Federatë shpreh keqardhjen për aksidentin e turistëve çekë gjatë lundrimit në lumin Kir dhe “distancohet totalisht nga kjo mënyrë organizimi e aktiviteteve sportivo-turistike të palicencuara”.

“Për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla të rënda e për të diskutuar vetëm mbi pjesën e bukur të sporteve ujore dhe aktiviteteve turistike në natyrë FShR komunikon se guidat sportive-turistike duhet të ofrohen nga subjekte të ligjshme dhe të licencuara nga Federata Shqiptare e Rafting për organizimin e këtyre itinerareve sportivo-turistike.

Rafting në Shqipëri është një aktivitet që duhet të organizohet nga kompanitë/personat juridike të njohura nga Federata Shqiptare e Rafting, të drejtohet nga guida profesionale të liçensuara nga kjo federatë, të pajisura me lejen përkatëse të drejtimit, si dhe të jenë të kompletuara me pajisjet dhe veshjet e destinuara për këtë përdorim”, thuhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Rafting.

Sipas FSHR, zbritja e turistëve çekë në lumin Kir është bërë pa shoqërimin e guidave profesionale dhe të licencuara nga shteti shqiptar.

“Nga verifikimet e saj FShR ka konstatuar dhe denoncuar disa raste ku persona të ndryshëm fizikë/ juridikë shqiptarë marrin përsipër organizimin dhe drejtimin e udhëtimeve të rafting në lumenj të ndryshëm të Shqipërisë pa qenë të licencuar, pa pasur guidat profesionale dhe pa pajisjet e kompletuara, duke vënë kështu në rrezik jetën e turistit dhe imazhin e sktivitetit të rafting dhe turizmit shqiptar.

FShR kërkon bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse shtetërore në ruajtjen e sigurisë së ushtrimit të rafting duke përfshirë strukturat përkatëse për kontrollin dhe verifikimin e ligjshmërisë së subjekteve që ushtrojnë këtë aktivitet sportivo-turistik në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, vijon më tej njoftimi i FSHR-së.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb