Egnatia ka triumfuar 1-2  me përmbysje ndaj Laçit në Kurbin, në ndeshjen e vlefshme për javë ne 32-të të elitës. Vendasit u treguan të rrezikshëm në minutat e para, duke iu afruar disa herë portës së kundërshtarit.

Në të 23-tën, ekipi i Armando Cungut mori epërsinë. Një krosim i Kryeziut u shfrytëzua në maksimum nga Uilliam Korderio, i cili i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes në shtyllën e parë, për të mposhtur portierin me një goditje të saktë me kokë.

Laçjanët menaxhuan mirë rezultatin në pjesën e parë, duke mos lejuar shumë hapësira për rrogozhinasit, që shfaqen për herë të parë në këtë takim në të 45-tën me Fernandon.

Të besuarit e Elir Tetovës ndryshojnë marsh në pjesën e dytë dhe përmbysin gjithçka. Fillimisht, Montenegro vendosi ekuilibrat në të 62-tën, përpara se Ibrahimoglu në të 69-tën të dërgojë në festë tifozërinë mike.

Me këtë rezultat, Egnatia kryesuese thellon diferencën me ndjekësit në +9. Sfida e radhës për ta është mjaft e vështirë, pasi përballë do jetë Vllaznia.

Në krahun tjetër, Laçi e sheh veten në vendin e shtatë me 38 pikë, duke ndjerë kështu “ankthin” e zonës së ftohtë në tabelë. Synimi ndaj Dinamos, në sfidën e radhës, është vetëm fitorja.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb